Ai i dha të dashurës së tij atë që mendonte se ishte një parfum luksoz. Shishja përmbante një helm vdekjeprurës të sjellë nga spiunët rusë
Makthi i Charlie Rowleyt filloi ditën kur ai gjeti atë që dukej si një shishe e zakonshme parfumi.
Ishte një pasdite vere në Amesbury të Anglisë. Teksa po kërkonte në një kontejner bamirësie ku njerëzit lënë sende të përdorura, ai vuri re një kuti të vogël kartoni. Brenda saj ndodhej një shishe e mbështjellë me plastikë, me etiketën Nina Ricci. I bindur se dikush kishte hedhur gabimisht një parfum të shtrenjtë francez, ai e mori në shtëpi për t'ia bërë dhuratë të dashurës së tij, Dawn Sturgess.
Gjetja e sendeve me vlerë mes objekteve të hedhura ishte një nga aktivitetet e tij të preferuara. Me kalimin e viteve ai kishte gjetur televizorë dhe pajisje të tjera shtëpiake. Por atë ditë të qershorit 2018 ai shpresonte që dikush të kishte hedhur një unazë, të cilën mund ta përdorte për t'i propozuar martesë Dawnit.
“Ajo më thoshte shpesh se duhej t'i blija një unazë fejese... një unazë me safir”, tha ai në një intervistë të fundit për CNN.
Pa e ditur ai, shishja përmbante të njëjtin agjent nervor që hetuesit besojnë se operativët rusë kishin përdorur tre muaj më parë për të helmuar një ish-spiun në qytetin e afërt Salisbury.
Edhe
Korrieri i përfshirë në komplotin rus kundër Britanisë thotë se u përdor pa e ditur
Ajo që pasoi ishte një varg ngjarjesh tragjike që lanë Sturgess të vdekur dhe Rowley të shtruar në spital, viktima të pafajshme të një historie ndërkombëtare spiunazhi që kishte në qendër tentativën për vrasjen e një agjenti të dyfishtë.
"Mendova se ishte një dhuratë e bukur dhe e vërtetë, dhe ajo u gëzua shumë kur e mori. Por gjithçka shkoi tragjikisht keq brenda pak çastesh”, kujton ai.
“Ajo e spërkati, e nuhati dhe e vendosi në kyçin e dorës. Pak më vonë tha se ndihej çuditshëm. U ankua për dhimbje koke... dhe më pas nuk reagonte fare. U përpoqa ta riktheja në jetë. Më dukej sikur gjithçka po ndodhte me lëvizje të ngadalta”, shpjegon më tej.
Më vonë atë ditë, edhe Rowley ishte mbuluar nga djersët, lëkundej para e mbrapa dhe belbëzonte fjalë pa kuptim, ndërsa helmi – i identifikuar më vonë si Novichok, një agjent nervor rus, kishte filluar të vepronte edhe tek ai.
Ai ra në koma dhe qëndroi për javë të tëra në spital, duke mos kujtuar fillimisht pothuajse asgjë nga ajo që kishte ndodhur.
Pasi doli nga spitali, pësoi një goditje në tru dhe u detyrua të shtrohej sërish për një periudhë të gjatë trajtimi.
Kjo tragjedi e përfshiu pa dashje Rowleyn, në përplasjen mes shërbimeve sekrete ruse dhe britanike.
“Kush do ta kishte menduar se në Salisbury jetonte një spiun? Ishte një tronditje”, tha Rowley. “Dhe kush do ta kishte menduar se helmi do të shfaqej përsëri brenda një shisheje parfumi?”.
Tetë vjet më vonë, ai ende e ka të vështirë të gjejë fjalët për të përshkruar atë që ndodhi.
Në dokumentarin e ri të CNN Films, “The Salisbury Poisonings: A Spy Next Door”, Rowley rrëfen historinë e tij së bashku me njerëz të tjerë, jetët e të cilëve u ndryshuan përgjithmonë nga këto sulme.
Shpesh ai ndalet në mes të fjalisë, ndërsa sytë i mbushen me lot.
“Jam përpjekur ta lë pas në mendje. Nuk e prisja që kjo të më ndodhte mua apo Dawnit”, thotë ai për CNN.
“Që atëherë asgjë nuk ka qenë më si më parë”, shton.
Ai vuri re diçka të pazakontë te shishja
Çifti kishte rreth një vit që ishte në lidhje pasi ishin njohur në një qendër për persona të pastrehë, ku jetonte Sturgess.
Rowley sapo ishte zhvendosur në një banesë të re dhe po e përgatiste atë që Dawn të transferohej për të jetuar me të.
Jeta e tyre përbëhej nga kënaqësi të thjeshta, përfshirë sendet që Rowley gjente në kontejnerët bamirësie pranë vendeve publike.
“Të të shihnin duke kërkuar nëpër kontejnerë kishte njëfarë stigme”, tha ai. “Por zakonisht ia vlente. Gjithmonë gjeja diçka, të madhe ose të vogël. Çdo send i bukur që gjeja ia çoja menjëherë Dawnit. Gjithmonë gërmoja deri në fund, me shpresën se mos gjeja atë unazën”.
Në kohën e lirë dëgjonin muzikë dhe shikonin filma.
Sturgess pëlqente Bob Marleyn dhe filmat aksion.
“Ajo nuk ishte e dhënë shumë pas filmave romantikë. Ndonjëherë, kur në qytet vinte luna parku, shkonim bashkë, shëtisnim mes stendave dhe qeshnim”.
Pastaj një gjest i thjeshtë dashurie i çoi në një rrugë të paimagjinueshme.
Më 28 qershor, dy ditë pasi Rowley kishte gjetur kutinë, ai ia dhuroi Dawnit.
Ishte e shtunë, rreth mesditës. Ata po shikonin televizor pasi një ditë më parë kishin kaluar kohën në Queen Elizabeth Gardens, një park buzë lumit me pamje nga Katedralja e Salisburyt, e cila ka kambanoren më të lartë në Britani.
Ajo e njohu menjëherë markën dhe u emocionua shumë.
Rowley kujton se iu duk e çuditshme që gryka spërkatëse ishte veçmas dhe nuk ishte e montuar në shishe. Atij iu desh ta hiqte kapakun dhe ta vendoste vetë.
Sturgess e spërkati, e nuhati dhe hodhi pak në kyçin e dorës. Lëngu kishte një strukturë vajore dhe nuk kishte asnjë aromë.
“Ishte shumë e çuditshme... një parfum pa erë”, kujton ai se mendoi.
Pak më vonë ajo i tha se nuk ndihej mirë dhe shkoi në banjë, ku ai dëgjoi një zhurmë të fortë.
Kur hyri, e gjeti pa ndjenja në vaskë dhe telefonoi menjëherë shërbimet e urgjencës.
“Në një moment po bisedoja me Dawnin, ndërsa në tjetrin ajo nuk ishte më vetvetja dhe nuk reagonte. Më zuri paniku. Nuk dija çfarë të bëja”.
Ekipet e emergjencës e transportuan Sturgess në spital.
Edhe
Putini autorizoi sulmin me agjent nervor, sipas raportit britanik
Pa e ditur se ajo ishte helmuar dhe se rasti lidhej me një operacion të spiunazhit rus, Rowley vendosi të kryente disa punë të shpejta përpara se t'i bashkohej në spital.
“Do të doja të kisha shkuar me të. Po planifikoja t'i përgatisja një çantë të vogël me disa sende personale, rroba, kozmetikë e gjëra të tjera për spital. Por gjithçka ndodhi aq shpejt”.
Ai nuk e pa më kurrë Dawnin.
Pesë orë pasi ajo ishte rrëzuar, një ambulancë u kthye në të njëjtën adresë për të marrë edhe Rowleyn, i cili gjithashtu ishte sëmurë pasi ishte kthyer në shtëpi.
Sturgess vdiq dhjetë ditë më vonë, ndërkohë që Rowley ndodhej ende në koma.
Ajo ishte 44 vjeçe.
Sipas Neil Basu, ish-drejtues i policisë britanike kundër terrorizmit, i cili flet në dokumentar, shishja e vogël përmbante mjaftueshëm helm për të vrarë 10 mijë njerëz.
Një ish-spiun ishte helmuar aty pranë
Me një popullsi prej rreth 44 mijë banorësh, qyteti piktoresk i Salisburyt duket më shumë si një vend që i përket një kartoline turistike sesa qendra e një skandali ndërkombëtar spiunazhi.
Ngjarja u zhvillua si një roman spiunazhi.
Një pasdite të ftohtë të marsit 2018, dy persona u gjetën të rrëzuar pa ndjenja në një stol në një kompleks tregtar në qendër të qytetit.
Hetuesit i identifikuan ata si Sergei Skripal, një ish-oficer i inteligjencës ushtarake ruse i akuzuar për spiunazh në favor të shërbimit sekret britanik MI6, dhe vajzën e tij, Yulia, e cila kishte ardhur për vizitë nga Moska. Edhe polici që i gjeti i pari u shtrua në spital.
“Ne kishim një spiun në Salisbury”, tha Rowley, sikur ende ta kishte të vështirë ta besonte edhe tetë vjet më vonë. “Salisbury kishte sekrete”, shtoi ai.
Brenda pak ditësh, hetuesit britanikë arritën në përfundimin se babë e bijë ishin helmuar me Novichok, një agjent nervor i zhvilluar nga Bashkimi Sovjetik.
Sipas hetuesve, dy operativë të inteligjencës ushtarake ruse udhëtuan drejt Britanisë me identitete të rreme, lyen me helm derën e përparme të shtëpisë së Skripalit dhe më pas hipën në një avion për t'u kthyer në Moskë.
Ekspertët e kriminalistikës, të veshur me kostume mbrojtëse kundër materialeve të rrezikshme, mbushën rrugët mesjetare të Salisburyt. Policia izoloi parqe, bare dhe restorante, ndërsa ekipet kërkonin gjurmë të agjentit nervor vdekjeprurës. Sa herë që dikush sëmurej, përhapej paniku se Novichok kishte goditur sërish. Një udhëheqës fetar madje bekoi qytetin me ujë të shenjtë për të qetësuar komunitetin e tronditur.
Pas disa javësh në gjendje kritike, babë e bijë arritën t'i mbijetonin sulmit.
“Që në fillim e kisha të qartë se nuk bëhej fjalë thjesht për një helmim, por për një tentativë vrasjeje”, tha për CNN Mark Sedwill, këshilltari britanik për sigurinë kombëtare në atë kohë.
Tre muaj më vonë, qyteti kishte filluar t'i kthehej disi normalitetit. Por rreth 13 kilometra në veri të Salisburyt, Rowley mori pa e ditur shishen e hedhur që ishte përdorur për të transportuar helmin.
Dhe makthi filloi përsëri.
Amber Rudd, e cila në atë kohë ishte ministre e Brendshme e Britanisë, tha se helmimet ngritën pyetje shqetësuese.
“Publiku nuk dëshiron të dëgjojë se ne nuk jemi vërtet të sigurt se çfarë është kjo, nga ka ardhur apo çfarë rreziku tjetër mund të ketë”, thotë ajo në dokumentar. “Ata duan të dinë se qeveria e tyre do t'i mbajë të sigurt”, shton.
Ai ka hequr dorë nga beteja për drejtës
Tentativa e dështuar për vrasjen e Skripalit u konsiderua nga shumë njerëz si një turpërim për presidentin Vladimir Putin, i cili mohoi pretendimet se Rusia qëndronte pas helmimit, duke i quajtur ato “marrëzi”.
Pas një operacioni të gjerë dekontaminimi, autoritetet shpallën Salisburyn të lirë nga agjenti nervor një vit më vonë. Raportohet se Skripali dhe vajza e tij jetojnë të fshehur, me identitete të reja, për të garantuar sigurinë e tyre.
Por për Rowleyn, vuajtjet nuk kishin përfunduar.
Ai u zgjua nga koma me shumë pak kujtime për atë që kishte ndodhur. Një mjek i dha lajmin se helmi i kishte marrë jetën të dashurës së tij.
“Isha i tronditur, sepse ajo ishte shishja që ia kisha dhënë Dawnit si dhuratë”, tha ai. “U ndjeva tmerrësisht keq, me një ndjenjë faji shumë të madhe... dhe edhe sot e kam të vështirë ta përballoj”.
Rowley ende jeton pranë Salisburyt, duke bashkëjetuar me kujtimet e helmimit.
Pas sulmit ai pati probleme me ekuilibrin dhe shikimin, si dhe humbi funksionin e krahut të majtë. Edhe pas shumë vitesh, ai thotë se kujtesa nuk i është rikthyer kurrë plotësisht.
“Unë ia atribuoj këtë Novichokut”, tha ai, “por nuk e di nëse ai ka shkaktuar dëme të përhershme”.
Agjentët rusë u identifikuan, por nuk u arrestuan kurrë. Ata këmbëngulën se kishin udhëtuar në Salisbury thjesht si turistë për të admiruar katedralen e famshme të qytetit.
Një vit pas sulmit, Rowley u takua me ambasadorin rus në Londër, duke shpresuar të merrte një shpjegim për atë që kishte ndodhur.
“Doja ta dëgjoja nga burimi, në fakt... dhe të merrja një përgjigje”, tha ai. “Por në të vërtetë nuk mora asnjë përgjigje. Më dukej sikur po jepeshin vetëm justifikime dhe përgjegjësia po i kalohej dikujt tjetër”, shpjegoi.
Edhe
Dyshohet për sulm seksual dhe dëmtim të pasurisë së një gruaje në Prishtinë
Ai thotë se tashmë ka hequr dorë nga pritja që një ditë të vihet drejtësia për gruan që humbi.
“Nuk është më në dorën time”, tha ai. “Nuk ka asgjë që mund të bëj”.