Tifogrupi zyrtar i Sigal Prishtinës, “Plisat”, ka reaguar të mërkurën në mbrëmje pas zgjedhjes së Bekë Berishës si kryetar i klubit.
“Plisat” e kanë vlerësuar zgjedhjen e Berishës kryetar si “ngjarje të turpshme në histori të sportit të kryeqytetit”.
Sipas tyre, Kuvendi për zgjedhjen e kryetarit të ri të klubit do të anulohet, pasi sipas “Plisave”, është i paligjshëm.
“Në këtë kryesi nuk ka dashuri për klubin, nuk ka interes për zhvillimin e klubit, prandaj edhe veprojnë nëpër terr. Vjedhjet, keqpërdorimet, shkatërrimin e klubit, nuk mund t’i fshihni duke sjellë në karrigen e kryetarit një njeri që nuk ka asnjë lidhje me klubin, as me sportin e as me kryeqytetin. Bekë Berisha është njeri joprofesional dhe aspak kompetent për këtë fushë”, kanë shkruar “Plisat” në faqen zyrtare.
Ata kanë shtuar në reagimin e gjatë po ashtu se Sigal Prishtina nuk do ta ketë përkrahjen e tyre.