Basketboll

Shkëlqimi i Mack Smithit në momentin vendimtar

Mack Smith

Bashkimi i ka pesë amerikanë në përbërje. Tre prej amerikanëve kanë rol të madh te prizrenasit e dy të tjerët më shumë janë zëvendësues të tyre. Kjo edhe për faktin se vetëm tre të huaj lejohen në të njëjtën kohë në parket.

Jayveous McKinnis shquhet për kontributin e madh në afërsi të koshit, ndërsa Wendell Green Jr për organizimin e lojës dhe pikët që i realizuan. Por ishte Mack Smith që u shqua në ndeshjen e parë finale të plejofit. Të dielën në “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi e mposhti Trepçën me rezultatin 84:77. Ndeshja u zhvillua pa praninë e shikuesve, por Bashkimi bëri hapin e parë drejt titullit të kampionit.

Smith i kaloi në parket mbi 33 minuta. Ishte më i miri me 22 pikë, tetë kërcime e tri asistime. E kishte vetëm një top të humbur. Green po ashtu i realizoi 22 pikë, ndërsa McKinnis i kishte 13 pikë e 11 kërcime.

“Kjo fitore ishte e rëndësishme për ne. Është dashur të dalim në fushën e lojës dhe të ofrojmë energjinë tonë për shkak se nuk i kishim tifozët në palestër. Kështu që kjo fitore është për ta”, ka thënë Mack Smith të martën.

Ai thotë se kanë luajtur të fokusuar dhe kishin paraqitje të mira.

“I kemi besuar njëri-tjetrit dhe kemi treguar se nëse mbesim të fokusuar dhe luajmë me energji, mund të fitojmë”, ka shtuar Smich.

Ai është te Bashkimi prej fillimit të edicionit, së bashku me McKinnis. Por derisa ky i fundit mungoi një periudhë për shkak të lëndimit, Smith është paraqitur në të gjitha ndeshjet, pos njërës. Në 33 ndeshjet e deritashme ka mesatare prej 12,9 pikëve, 4,5 kërcimeve e 3,1 asistimeve. Kontributi i këtij fundori ishte konstant.

Në finalen e parë e kishte njërën prej paraqitjeve më të mira deri më tani.

“Jam më shumë i kënaqur për fitoren e ekipit dhe për pozitën në të cilën jemi tashmë. Kemi punuar fort për të pasur këtë avantazh. Kemi punuar prejse jam këtu dhe tani duhet të vazhdojmë të bëjmë këtë”, ka shtuar Smith.

Pas karrierës në NCAA, Smith iu bashkua skuadrës nga Maqedonia e Veriut, Akademija FMP për edicionin 2022/2023. Në edicionin e kaluar ka luajtur për ekipin tjetër maqedonas, Kavadarci.

Ndeshja e dytë e serisë finale zhvillohet të mërkurën mbrëma në “Minatori”. Një fitore eventuale do ta afronte Bashkimin me titullin e kampionit.

“Gjëja më e rëndësishme është të fokusohemi dhe të vazhdojmë të luajmë së bashku. Duhet të shijojmë momentet dhe të shijojmë ndeshjen. Fokusi gjithnjë është te ndeshja e radhës”, ka theksuar Smith.

Skuadra që i shënon katër fitore shpallet kampione. Ndeshja e shtatë eventuale do të luhet në Prizren.