Basketboll

Sigal Prishtina e mposht edhe Rahovecin 029

Sigal Prishtina

Pas fitoreve ndaj Golden Eagle Yllit dhe ndaj Borës, Sigal Prishtina, të shtunën e ka mposhtur edhe Rahovecin 029 me rezultatin 77:68.

Ndeshja u zhvillua në palestrën ““Mizahir Isma” në Rahovec dhe i takoi xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Për Rahovecin 029 ishte disfata e dytë radhazi. Në xhiron e parë fitoi ndaj Borës.

Vendësit e fituan çerekun e parë me rezultatin, 22:21.

Sigal Prishtina u kthye fuqishëm duke e fituar çerekun e dytë thellë, 20:11.

Një pikë diferencë ishte në çerekun e tretë që përfundoi 17:16 në të mirë të Rahovecit 029.

Dhjetëminutëshi i fundit u fitua nga Sigal Prishtina me rezultatin 20:18 dhe kështu e siguroi fitoren e tretë rresht.

Deondre Burns, Kelby Kramer dhe Lamb Autrey u dalluan te Sigal Prishtina.

Burns i kishte 20 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime. Kramer i pati gjashtë pikë, tetë kërcime dhe një asistim, kurse Autrey shënoi 13 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime.

Lojë të mirë te Rahoveci 029 kishte Isiah Umipig që pati 26 pikë dhe katër asistime.