Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Te Vëllaznimi thonë se merituan rënien në Ligën e Parë

vellaznimi

Në shumë raste faji mbetet jetim. Por jo në rastin e Vëllaznimit të Gjakovës. Te klubi gjakovar thonë se kanë merituar rënien nga Superliga e Kosovës në basketboll.

“Nuk është se nuk e kemi merituar rënien. Kemi bërë disa gabime që ndoshta ka nevojë për reflektim dhe mënyra më e mirë për të reflektuar është rënia në Ligën e Parë”, thotë trajneri i Vëllaznimit të Gjakovës, Dorant Hana për KOHËN të enjten. “Por është mëkat për qytetin, komunitetin e basketbollit, pasi Superliga ngre nivelin e komunitetit, njerëzve dhe fëmijëve të merren me basketboll. Besoj se duhet të rikthehemi së shpejti në Superligë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjakovarët fituan 88:82 ndaj Pejës në “Shani Nushi”, të mërkurën mbrëma. Por nuk siguruan mbijetesën.

Te Vëllaznimi i Gjakovës ishin të sigurt se me fitore ndaj Pejës, në xhiron e fundit, do ta siguronin mbetjen në Superligën e Kosovës në basketboll. Por FBK-ja pak orë para ndeshjeve të xhiros së fundit, të mërkurën, dha skenarët se kush shpëton e kush bie, varësisht nga rezultatet. Në fund doli skenari 2: Vëllaznimi e Rahoveci 029 fituan, ndërsa Sigal Prishtina humbi.

Kështu të tri skuadrat përfunduan me nga 38 pikë. Prishtina u rendit e gjashta dhe luan në plejof, Rahoveci 029 përfundoi i shtati dhe mbetet në Superligë, ndërsa Vëllaznimi përfundoi i teti dhe bie nga Superliga.

FBK-ja ka qartësuar se në një situatë të tillë, kur tri skuadra kanë pikë të barabarta, shikohet bilanci i atyre i skuadrave në ndeshjet e ndërsjella. Pra krijohet “mini-tabelë” e tri skuadrave.

Prishtina në ndeshjet me Rahovecin 029 dhe Vëllaznimin kishte pesë fitore e tri humbje. Rahoveci 029 kishte katër fitore e katër humbje. Dhe Vëllaznimi në ndeshjet me Prishtinën dhe Rahovecin 029 i kishte tri fitore e pesë humbje. Rrjedhimisht edhe mbeti i fundit dhe largohet nga Superliga.

“Nuk e kemi pritur mirë. Ditën e ndeshjes e kam marrë vesh që llogariten ndeshjet direkt. Pas ndeshjes me Prishtinën, komisari i garave ka thënë se shikohet koshdallimi  dhe fitorja e Rahovecit ndaj Yllit nuk do të ketë ndikim. Ka mjaftuar vetëm që ne ta fitojmë ndeshjen ndaj Pejës. Ditën e ndeshjes është marrë vendimi dhe kjo ka krijuar stres dhe huti. Ne si klub, unë si trajner, kryesia dhe lojtarët e kanë sjellë punën deri këtu. Është përgjegjësi e imja, lojtarëve dhe kryesisë. Përgjegjësia është e të gjithëve”, është shprehur trajneri i gjakovarëve.

Kryetari i klubit, Ideal Bakija, po ashtu tregon arsyet e rënies së Vëllaznimit nga Superliga.

“Kemi pasur një start të keq dhe na ka ndikuar në vazhdimësi. Përkundër investimeve nuk kemi mundur ta rikuperojmë startin e keq. Do të mundohemi sa më shpejt të kthehemi në Superligë”, thotë Bakija.

Ai thotë se ligjërisht FBK-ja kishte të drejtë, por jo edhe moralisht.

“Ka qenë një lëshim në propozicionet e garave të FBK-së, pasi në nenin 47.1.4 shkruan se nëse më shumë se dy ekipe kanë tubuar numër të njëjtë të pikëve, renditja përcaktohet vetëm në bazë kosh-diferencës të pikëve të shënuara në ndeshjet në mes tyre. Por neni 5 i propozicioneve thotë se që bazat e rregullave merren për bazë propozicionet e FIBA-s, të cilat thonë se nëse më shumë se dy skuadra përfundojnë me pikë të barabarta shikohen përballjet ndërmjet vete. Ne jemi bazuar në propozicionet e FBK-së dhe pak orë para ndeshjes FBK ka dalë me sqarim që për shkak të mospërputhjes, mbizotërojnë rregullat e FIBA-s. Moralisht në këto momente ndoshta nuk kanë të drejtë për faj të gabimit të tyre, por ligjërisht FBK-ja ka të drejtë”, ka thënë Bakija.

Derisa te Vëllaznimi pati dëshpërim pas ndeshjes kundër Pejës, te Rahoveci 029 pati lot gëzimi për mbetje në Superligë pas fitores dramatike ndaj Golden Eagle Yllit.

Ndeshja mes Yllit e Rahovecit 029 u vendos vetëm pas vazhdimit prej pesë minutave. Në kohën shtesë rahovecasit shënuan fitore 89:83 për mbetje në elitë.