Basketboll

Trepça e pret Braunschweigun, Bashkimi luan në Itali

basketboll

Skuadrat kosovare të basketbollit i luajnë të mërkurën ndeshjet e dyta në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.

Kampionia në fuqi, Trepça, e pret në “Minatori” skuadrën gjermane, Braunschweig. Ndeshja i takon Grupit F, ndërsa zhvillohet nga ora 18:30.

Brauschweigu në ndeshjen e parë fitoi 98:97 ndaj Anwilit polak, derisa Trepça humbi në Greqi nga PAOK-u me shifrat 85:74. Në momente, megjithatë “xehetarët” dhanë sinjale se janë në rrugën e duhur. Trepça në fundjavë fitoi ndaj Vëllaznimit në Superligë dhe tani e kërkon fitoren e parë në FIBA Europe Cup. Në ndeshjen tjetër të Grupit F takohen Anwili e PAOK-u.

Trepça u ka bërë thirrje tifozëve për ta mbushur “Minatorin” për ndeshjen e vështirë me skuadrën gjermane. Liga gjermane vlerësohet e nivelit goxha të lartë.

Në FIBA Europe Cup paraqitet edhe nënkampioni, Bashkimi. Javën e kaluar ekip prizrenas pësoi 93:79 nga Cibona në Zagreb. Ajo ndeshje në fakt është dashur të luhet në Prizren, por me marrëveshje të dy klubeve u zhvillua në Zagreb, pasi palestra “Sezai Surroi” ishte e zënë për shkak të zgjedhjeve. Ndeshja tjetër me Cibonën do të luhet në Prizren.

Të mërkurën Bashkimin e pret tjetër udhëtim i vështirë. Nga ora 20:00 në Reggio Emilia të Italisë, skuadra e portokalltë luan me skuadrën italiane, Reggiana.

Reggiana në ndeshjen e parë të Grupit J fitoi 96:88 ndaj Dijonit francez.

Secila fitore vlerësohet e rëndësishme për skuadrat kosovare. Derisa Bashkimi po debuton në kupat evropiane, Trepça ka përvojë disavjeçare.

Ndërkohë Sigal Prishtina dhe Peja po garojnë në ENBL, një ligë ndërkombëtare me shumë skuadra.

Por jo garë kontinentale e FIBA-s për klube të basketbollit.