Basketboll

Trepça regjistron fitoren e 11-të rresht në Superligë

KB Trepça

Trepça nuk ka gabuar të dielën mbrëma në ndeshjen e xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në basketboll. 

Trepça në palestrën “Minatori” në Mitrovicë fitoi përballë Rahovecit 029 me rezultatin 86:77. Për mitrovicasit, që në mesjavë do të luajnë në finale të Kupës së Kosovës ndaj Bashkimit, ishte fitorja e 11-të rresht në elitën e basketbollit kosovar. 

Kampionia në fuqi dhe fituesja e Kupës, Trepça, krijoi epërsi të thellë pas çerekut të parë, të cilin e fitoi 28:12. 

Deri në fund e administroi mirë lojën dhe nuk lejoi befasi ndaj skuadrës së vendit të fundit. 
Me 24 pikë, katër kërcime e një asistim, Drilon Hajrizi i kishte statistikat më të mira në fitore. 
Kontribut dhanë edhe Akili Viking me 14 pikë dhe Shaën Jones e Mustapha Amzil, me nga 11 pikë. Dardan Kapiti i pati 10 pikë. 

Kentrell Pullian ishte më i dalluari te mysafirët me 19 pikë, pesë asistime e dy kërcime. 
Trepça në vendin e parë ka 17 fitore e tri humbje, kurse Rahoveci 029 në pozitën e fundit e pësoi disfatën e 14-të. I ka edhe gjashtë fitore.