Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Franca miraton projektligjin për vdekjen e asistuar, pas vitesh debate

Parlamenti francez

Asambleja Kombëtare e Francës ka dhënë të mërkurën miratimin përfundimtar për një projektligj që u mundëson të rriturve me sëmundje të pashërueshme, të marrin medikamente vdekjeprurëse

Miratimi është dhënë për vitesh debate mbi kujdesin në fazën e fundit të jetës.

Dhoma e ulët e parlamentit e ka miratuar masën me 291 vota pro dhe 241 kundër, pasi e kishte mbështetur atë në tri shqyrtime të mëparshme. 

Votimi ka përmbyllur punën e parlamentit mbi legjislacionin e shpallur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, më shumë se tri vjet më parë.

“Në vitin 2022, u zotova para popullit francez se do ta hapja këtë rrugë”, ka thënë Macroni në një mesazh të postuar në platformën X. 

Edhe Apeli zbut dënimin e Le Penit, i mundësohet kandidimi në zgjedhjet presidenciale Botë 1 j. më parë Apeli zbut dënimin e Le Penit, i mundësohet kandidimi në zgjedhjet presidenciale

“Me seriozitet, me përulësi dhe me respekt të plotë për demokracinë tonë, ai zotim është përmbushur”, ka shtuar ai.

Sipas vlerësimeve të ndryshme, vdekja e asistuar është një mundësi e disponueshme për rreth 300 milionë njerëz në mbarë botën.

Eutanazia është e ligjshme në kushte të caktuara në disa vende, ndërsa vetëvrasja e asistuar lejohet në vende të tjera dhe në disa shtete të SHBA-së. Franca ka një popullsi që po plaket gjithnjë e më shumë dhe një numër në rritje pacientësh që kërkojnë kujdes për sëmundje kronike.

Franca, një komb tradicionalisht katolik, është përballur me çështje ligjore, mjekësore, morale dhe fetare lidhur me opsionet për fazën e fundit të jetës. Këtu përfshihet legjislacioni aktual që u lejon mjekëve t'i mbajnë pacientët me sëmundje terminale në gjendje qetësimi të thellë (sedacioni) para vdekjes, por nuk shkon deri aty sa të lejojë vetëvrasjen e asistuar apo eutanazinë.

Shumë francezë kanë udhëtuar drejt vendeve fqinje ku vetëvrasja e asistuar mjekësisht ose eutanazia janë të ligjshme. 

Vetëvrasja e asistuar mjekësisht përfshin përgjithësisht marrjen vullnetare nga pacienti të një medikamenti vdekjeprurës të përshkruar nga mjeku. Eutanazia përfshin administrimin e një injeksioni vdekjeprurës nga mjeku ose një profesionisti tjetër shëndetësor, me kërkesë të pacientit.

Edhe Franca konfirmon rastin e parë me Ebola Botë 3 j. më parë Franca konfirmon rastin e parë me Ebola

Opsionet për fazën e fundit të jetës po diskutohen gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar. 

Një projektligj për legalizimin e vdekjes së asistuar në Angli dhe Uells do t'i rikthehet zyrtarisht Parlamentit më 11 shtator, pesë muaj pasi procesi u ndërpre për shkak të skadimit të afatit në sesionin e kaluar parlamentar.