Pas ndeshjeve të zjarrta për Kupë të zhvilluara të mërkurën e të enjten, në fundjavë vazhdon gara në Superligën e Kosovës në basketboll.
Në program është xhiroja e 14-të, e para për këtë vit. Gara për pozitat e kreut, por edhe për të shmangur rënien nga Superliga, vlerësohet shumë e hapur. Pikët për të gjitha skuadrat janë shumë të vlefshme.
Deri i xhiros së 14-të zhvillohet të dielën nga ora 17:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Takohen Trepça e Sigal Prishtina, dy prej skuadrave kryesore në vend. Kampionia në fuqi, Trepça, është lidere e klasifikimit me 23 pikë, përkatësisht me bilanc prej 10 fitore e tri humbje. Prishtina mban vendin e katërt me20 pikë. Bilanci i Prishtinës është shtatë fitore e gjashtë humbje.
Trepça të mërkurën pësoi nga Golden Eagle Ylli para tifozëve të saj, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të kupës. Skuadra e Adis Beqiragiqit përballet me lëndime të lojtarëve të rëndësishëm. Do të ketë mungesa të mëdha edhe të dielën.
Ndërkohë Prishtina do të bëjë përpjekjen e radhës për t’u stabilizuar me rezultate në Superligë. Në vjeshtë Prishtina kishte fitore të mëdha, por edhe humbje të rënda. Kjo skuadër është goditur rëndë nga konflikti i tifozëve me drejtuesit e klubit. Shumë prej ndeshjeve si vendase, Prishtina i luajti me dhjetëra shikues në palestër.
Prishtina gjatë javës i luajti dy ndeshje. Fillimisht të martën pësoi në shtëpi në kuadër të ligës ndërkombëtare ENBL, kurse të enjten fitoi thellë ndaj Vëllaznimit në Gjakovë në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës.
Prishtina ka bërë ndryshime të shumta në përbërje dhe udhëton në Mitrovicë për pikë të rëndësishme kampionale.
Të dielën prej orës 19:30 është ndeshja mes Vëllaznimit dhe GO+ Pejës, që e mbyll xhiron e 14-të. Të dy skuadrat pësuan humbje për Kupë dhe kërkojnë pikët e plota. Peja është e treta me bilanc prej tetë fitore e pesë humbje.
Vëllaznimi është i fundit, përkatësisht i teti me katër fitore e nëntë humbje.
Bilanc të njëjtë ka edhe Golden Eagle Yllin, që me ardhjen e Scott Bamforthit ka fituar shumë në cilësi. Ylli e luan ndeshjen e parë të xhiros. Të shtunën nga ora 17:00 e pret Rahovecin 029. Është ky derbi regjional, me rivalitet goxha të theksuar. Rahoveci është i gjashti me pesë fitore e tetë humbje.
Të shtunën prej orës 19:00 është ndeshja mes Bashkimit e Borës, që luhet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Bashkimi është i dyti në tabelë, kurse bilanci i tij është nëntë fitore e katër humbje. Bora e Prishtinës është e pesta. Ka shënuar pesë fitore në vjeshtë, kurse i pësoi tetë disfata.