Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Vëllaznimi paraqet ankesë, paralajmëron edhe kallëzim penal në rast të refuzimit

KB Vellaznimi

Klubi i basketbollit Vëllaznimi ka paraqitur të premten zyrtarisht ankesë në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Ankesa i është drejtuar Komisionit për Ankesa dhe Arbitrazh të FBK-së dhe ka të bëjë me pretendimin e klubit gjakovar “për zbatim të gabuar të dispozitave materialo-juridike”. Në ankesën e gjatë të përpiluar nga avokati i autorizuar nga KB Vëllaznimi, shkruan se ajo është bërë “ndaj publikimit zyrtar të renditjes përfundimtare tabelore për edicionin e rregullt, të publikuar nga FBK-ja”.

Te Vëllaznimi pretendojnë se pa të drejtë janë në pozitën e tetë. Sipas ankesës renditja që ka bërë FBK-ja është në kundërshti me atë që shkruan në Propozicionet e Garave.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas interpretimit zyrtar të FBK-së, Vëllaznimi ka përfunduar i teti, përkatësisht i fundit në Superligë, dhe edicionin tjetër duhet të luajë në Ligën e Parë.

Në fakt ka pasur shumë paqartësi lidhur me xhiron e fundit të Superligës. Nuk ishte plotësisht e qartë se cila do të ishte renditja nëse tri skuadra do të kishin pikë të njëjta. Në fund ndodhi pikërisht kjo. Prishtina, Rahoveci 029 dhe Vëllaznimi kishin pikë të barabarta dhe renditja, sipas FBK-së, e këtyre tri skuadrave është: Prishtina, Rahoveci 029, Vëllaznimi.

FBK-ja ka interpretuar rregulloret që renditja të bëhet në bazë të rezultateve të përgjithshme në ndeshjet e ndërsjella mes tri skuadrave. Por Vëllaznimi pretendon se kjo është e gabuar dhe se duhej të merrej për bazë vetëm koshdallimi.

“Në situatën kur më shumë se dy klube (pra së paku tre klube) kanë grumbulluar numër të njëjtë të pikëve, renditja do të përcaktohet vetëm dhe ekskluzivisht mbi bazën e diferencës së pikëve të shënuara në ndeshjet ndërmjet tyre. Nga neni 47.1.4 i Propozicioneve të Garave rrjedhë se kriteri i parë dhe mbizotërues mbi të gjitha kriteret e tjera, në rastin kur kemi barazim të pikëve ndërmjet së paku tri klubeve, është koshdiferenca e pikëve të shënuara ndërmjet tyre”, shkruan në arsyetimin e gjatë të bërë në ankesë.

Nëse për bazë do të merrej vetëm koshdallimi, Vëllaznimi do të shmangte rënien nga Superliga dhe do të përfundonte i shtati.

Përfaqësuesi i Vëllaznimit ka shkruar se nëse ankesa nuk aprovohet “atëherë klubi do të ndjek rrugët ligjore përmes kallëzimit penal ndaj zyrtarëve përkatës të FBK-së për shkelje me dashje të dispozitave të Propozicioneve të Garave dhe krijimin e paqartësive juridike, për një situatë juridike të pastër si loti”.

FBK-ja tashmë ka zyrtarizuar renditjen tabelore, ka përcaktuar çiftet e plejofit dhe ka caktuar orarin e ndeshjeve.

Rahoveci 029 doli me një reagim zyrtar të premten mbrëma. Rahoveci 029 ka përfunduar i shtati dhe mbetet në Superligë.

“Theksojmë qartë se vendimet e FBK-së janë të bazuara në rregullore dhe duhet të respektohen nga të gjithë. Federata ka vepruar në përputhje të plotë me rregullat në fuqi, të cilat kanë qenë të njohura për të gjitha klubet që në fillim të sezonit. Sa i përket klubit tonë, duam të jemi shumë të qartë: ne jemi plotësisht të pastër. Çdo arritje e jona është rezultat i punës, sakrificës dhe angazhimit maksimal në fushë, pa asnjë shkelje dhe pa asnjë favor. Përpjekjet për të krijuar dyshime apo për të ulur vlerën e asaj që kemi arritur janë të pabazuara dhe nuk ndryshojnë realitetin”, ka shkruar Rahoveci.

Situata e xhiros së fundit ishte goxha kaotike. Madje përmes komenteve ka pasur shumë që kanë dyshuar edhe në korrektësinë e disa prej skuadrave. Dhe tani kjo çështje do ta ketë kapitullin e radhës.