Hulumtimi disamujor i “Betimi për Drejtësi”, zbuloi një proces të dyshimtë të këmbimit të një prone komunale në Pejë me vlerë afër 2 milionë euro. Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Një pronë që nga “rajon ujor”, u kthye në “tokë ndërtimore” me një vendim të ekzekutivit komunal, e për të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI) thotë se këto prona shoqërore ujore (P.Sh “Ujërat”) janë nën administrimin e tyre dhe se çdo veprim apo shfrytëzim i tyre është i jashtëligjshëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë aktvendimin e Drejtorisë për Çështje Pronsoro-Juridike, të datës 25 tetor 2019, janë gjithsej 32 parcela që janë evidentuar si Pronë Shoqërore “Ujërat”, e që nga destinimi i ujërave, të njëjtat u shndërruan në tokë ndërtimore.
Në vendimin e 2019-ës, ishte e përfshirë edhe prona që u miratua për këmbim më 17 prill 2025 në Kuvendin Komunal të Komunës së Pejës.
Bazuar në vendimin për miratim të këmbimit të pronës së paluajtshme komunale, pronat njëra në sipërfaqe me 3413m2 është vlerësuar me 240 euro metri, që në total i bie 819,120.00 euro. Ndërsa, ngastra tjetër, në sipërfaqe prej 3750m2 është vlerësuar me çmim 900,000.00.
Vlera totale për të dy ngastrat kadastrale është 1,719,120.
Tutje, sipas vendimit pronat private të kompanisë Qehaja Group SH.P.K, janë në katër ngastra kadastrale, tri nga to me shtëpi, e që në total bashkë me vlerën e investimeve, arrijnë në 677.075.00.
Ndërsa, pronat private të Shkelzen Gutiqit, përbëhen në tri ngastra kadastrale, që po ashtu janë me shtëpi dhe që bashkë me vlerën e investimeve, në total shuma e tyre arrin 211,660.00.
Dhe, pronat e Raif dhe Ali Kelmendi, janë dy ngastra kadastrale që bashkë me vlerën e investimeve arrijnë në shumën 197,876.00.
Të gjitha pronat e pronarëve në total, arrijnë shumën prej 1.086.611. euro. Ndërsa, vlera totale e pronës së komunës është 1,719,120.
Kështu që, të gjithë pronarët privatë sipas vendimit, obligohen që të paguajnë Komunën për diferencën në shumën prej 632,509.00 euro.
Betimi për Drejtësi, ka kontaktuar me pronarët privatë, për t’i pyetur nëse kanë përfunduar procedurat e këmbimit të pronës, pas miratimit në Kuvend Komunal.
Valon Sadiku, pronar i Qehaja Group sh.p.k, ka thënë se nuk janë përfundur procedurat e shkëmbimit të pronës me komunën.
“Jo, jo. Valla nuk e di se ka qenë shumë kaherë kjo. I kemi pasë disa prona që i kemi pasë të bleme, kena pasë me i ndërtu, por komuna nuk na ka leju me i përfundu ato që janë në interes komunal”, ka thënë Sadiku në një bisedë telefonike.
I pyetur se çfarë është paraparë të bëhet në pronën afër 2 milionëshe që ka votuar për shëkmbim Kuvendi Komunal i Pejës, ai thotë se nuk e di ende.
“S’ja kemi idenë valla, veç na ka ofru komuna ato për me këmby”, u shpreh Sadiku.
Në anën tjetër, Raif Kelmendi, thotë se nuk është në dijeni për shkëmbim pronash, ndonëse Kuvendi Komunal në Pejë kishte votuar për shkëmbim të pronës së tij me atë tek ish-Ambienti.
“Jo, jo s’jam në dijeni për atje. Na kanë thënë që dojnë me marrë se e kanë marrë edhe këtë shtëpinë e kojshive. Tash e jemja ka mbetë në mes, edhe këta e kanë marrë, tash unë kam mbetë diqysh si”, ka thënë Raif Kelmendi.
Tutje Klemendi, thotë se nuk e din për çfarë arsye është këryker prona e tij nga Komuna.
“S’podi pse po i marrin. Jo, jo”, tha Raif Kelmendi.
Tutje, në bisedë me Raif Kelmendin, u përfshi edhe djali i tij, i cili tha se prona nuk do shkëmbehej, por do shpronësohej.
“Kanë bo vlerësim të pronës edhe u mbetë ashtu. Jo ka qenë shpronësim. Nuk e di që kanë përmend diçka me këmbim”, ka thënë djali i Raif Kelmendit.
Ndërsa, sipas Raif Kelmendit, vëllai i tij Aliu, jeton në Angli. Ai tha se nuk ka ndonjë kontakt të tij që mund t’i ofroj ekipit të Betimit për Drejtësi dhe si rrjedhojë komunikimi me Ali Kelmendin nuk është realizuar.
Ndërkaq, pronari privat Shkelzen Gutiqi, thotë se pronën e tij e ka shitur tek Qehaja Group sh.p.k në nëntor të vitit 2024. Pra 6 muaj para se të votohej në Kuvend Komunal të Pejës për këmbim.
Ai, thotë se nuk është në dijeni të vendosjes së emrit të tij në këtë vendim të komunës.
“Këtë nuk po e disha pra unë, nuk po e disha. Jo, nuk jam në dijeni që me mu shkëmby një pronë tjetër me atë kompensim të qasaj. Unë vallai nuk jam në dijeni për kurgjë tjetër, përveç se e kam shitë atëfarë pronën, ja kom shitë Qehajve edhe Komuna e ka marrë përsipër këtë punë që me bo aty, çka po di çka kanë ndërmend me bo. Kështu që, më këmby prona me prona nuk jam unë në dijeni që mu ka pru kjo punë. Ja kom shitë pronën Qehajve. Qehajt kanë marrëveshje me Komunën edhe Komuna vendos tash çka me bo me atë pjesë”, u shpreh Gutiqi
Ndonëse në vendimin e Komunës vlera totale e vlerësimit të pronave të Gutiqit arrin shifrën 211 mijë euro, ai thotë se nga Qehaja Group u pagua më pak.
“Jo jo, unë kam marrë ma pak”, ka thënë Gutiqi.
Tutje, Gutiqi pyetet për periudhën se kur është bërë shitblerja e pronës së tij me Qehaja Group.
“Valla mundet me qenë vitin e kaluar në nëntor. 2024-ën” u shpreh ai.