Botë

“20 minuta që më shkatërruan jetën” – Si u vu Nadia përballë një abuzuesi

Nadia

Nadia, një grua nga Skocia, përjetoi kërcënime, fyerje dhe trauma të rënda mendore pas një takimi vetëm 20-minutësh me abuzuesin e njohur Christopher Harkins. Megjithë raportimet e shumta të grave që e kishin denoncuar atë që nga viti 2012, policia nuk ndërhyri deri në fund të vitit 2019. Historia e saj, e rrëfyer në podcastin e ri të BBC-së “Matched with a Predator”, tregon dështimet e rënda institucionale që lejuan një abuzues të vepronte për vite me radhë.

Një grua që u njoh në Tinder me mashtruesin dhe abuzuesin Christopher Harkins thotë se u përball me kërcënime për vdekje dhe abuzim që i shkatërruan shëndetin mendor për vite me radhë pasi kishte kaluar vetëm 20 minuta në shoqërinë e tij.

Duke folur për herë të parë për takimin me mashtruesin dhe përdhunuesin famëkeq në vitin 2018, Nadia tregoi se abuzimi nisi pasi ajo e përfundoi takimin më herët, për shkak të disa “shenjave paralajmëruese”.

Specialistja e masazhit sportiv është një nga gjashtë gratë që ndanë përvojat e tyre shqetësuese dhe shpesh të çuditshme - me një nga mashtruesit më të njohur romantikë të Skocisë, në podcastin e ri të BBC Disclosure: “Matched with a Predator”

Hetimi i BBC zbuloi se 11 gra kishin tentuar ta raportonin Harkins në Policinë e Skocisë që nga viti 2012.

Me gjithë akuzat për sulme fizike, mashtrime, kërcënime dhe abuzime, policia nuk nisi hetime ndaj tij deri në fund të vitit 2019.

Policia e Skocisë deklaroi se raportet e mëparshme kishin të bënin “kryesisht me çështje financiare” dhe se të gjitha ishin trajtuar në mënyrë të veçuar – një situatë që, sipas saj, “nuk do të përsëritej sot”.

Harkins kaloi gati një dekadë duke kryer krime kundër grave që njihte në internet në Skoci dhe Londër, përpara se të dënohej me burg në vitin 2024.

Nadia beson se ai duhet të ishte ndaluar shumë më herët.

Ajo është ndër disa viktima që kanë kërkuar që Policia e Skocisë të kërkojë falje ndaj atyre që tentuan ta raportonin.

Takimi i parë dhe i fundit

Nadia, e cila tani është 34 vjeçe, dhe Harkins, 38, u njohën në Tinder shtatë vite më parë.

Ata biseduan për disa javë me mesazhe dhe më pas vendosën të dilnin për darkë në Glasgow.

Për Nadian, shenja e parë paralajmëruese erdhi kur ajo mbërriti për ta marrë Harkins nga banesa e tij në Cumbernauld.

Ai hapi derën i veshur me pantallona sportive dhe një kanotierë, duke thënë se ishte shumë i lodhur për të dalë jashtë. Ai propozoi që të rrinin në banesë dhe të porosisnin ushqim.

“Këtu është momenti kur gjithçka filloi të bëhej e çuditshme”, tha Nadia.

“Hyra brenda. Vendi ishte bosh. Pa mobile. Dhoma e ndenjjes ishte plotësisht e zbrazët, përveç një televizori të vendosur mbi disa kuti”.

Harkins i ofroi Nadis një gotë vodka. Kur ajo refuzoi alkoolin dhe mori vetë një Diet Coke, ajo thotë se atmosfera ndryshoi menjëherë.

“Sikur pati një shpërthim zemërimi të brendshëm”, tha ajo.

“Ai më pa sikur donte të thoshte, ‘kush mendon se je? Pse po e merr vetë pijen?’

“Isha pak nervoze dhe e mbusha gotën plot. Kur u ktheva, më ra gota nga dora’.

“Shikimi në sytë e tij ishte i tmerrshëm. Tha diçka si, ‘je kaq e pavëmendshme, nuk e respekton pronën time. Je një kloun’.

“Më kujtohet që mendova, ‘a e ka seriozisht?’ - ishte dysheme me laminat.

“I thashë, ‘shiko, po iki’. Dhe ai më tregoi derën duke sharë”.

Nadia tregon: “U tmerrova. Mendoja se do të më ndiqte nga pas. U futa me nxitim në makinë, i mbylla dyert dhe aq ishte.

“Mendova se aty kishte mbaruar gjithçka, por në fakt gjithçka sapo kishte filluar.

“Nuk do ta besoje kurrë që një takim 20-minutësh do të ndikonte kaq keq në jetën time”.

Refuzimi duket se ishte një nxitës i madh për Harkins, i cili filloi ta bombardonte Nadian me telefonata dhe mesazhe sapo ajo u largua.

Mesazhi i parë thoshte: “Si guxon dikush si ti të largohet nga një takim me mua?”

Ndërsa orët kalonin, situata përkeqësohej. Nadia thotë se Harkins e kërcënoi se do t’i “hidhte benzinë shtëpisë së saj”, se do ta vriste dhe do të sulmonte babanë e saj.

Ai i dërgoi gjithashtu një lumë fyerjesh për pamjen e saj fizike.

Kjo pati një ndikim shkatërrues në vetëvlerësimin e Nadiës - diçka që ajo e kishte rindërtuar me shumë mund pas një periudhe të vështirë në jetën e saj.

“Më vinin mesazhe që thoshin se isha një lopë e trashë”, tregoi ajo.

“Që isha një ‘catfish’, që dukesha si derr, që përdorja shumë grim. Kjo vazhdoi gjithë natën. Qava aq shumë sa më dhembi koka. Në gjashtë të mëngjesit ai ende më dërgonte fyerje.

“Më kujtohet që u pashë në pasqyrë dhe ndihesha e turpëruar për veten.

“Ai e dinte që kisha humbur peshë dhe shkoja në palestër.

“Kur më në fund ndihesha mirë me veten, ai ma shkatërroi gjithçka”.

Të nesërmen e takimit, Nadia raportoi kërcënimet dhe abuzimin në Policinë e Skocisë.

Ajo ua lëshoi edhe një incizim të një telefonate nga Harkins.

Në të dëgjohej ai duke thënë se do të shkonte në shtëpinë e babait të saj, do ta nxirrte jashtë dhe do ta rrihte.

“Më thanë që nuk mund të bënin asgjë për mua”, tha Nadia.

“Më thanë se nuk kishte kërcënim të drejtpërdrejtë dhe që nëse ndodhte diçka, të telefonoja menjëherë.

“Asnjë nuk mori deklaratë. Nuk donin të më ndihmonin. Po bërtisja nga dëshpërimi, ‘nuk mund ta përballoj këtë, ju nuk e dini çfarë është i aftë të bëjë, po më kërcënon’”.

Nadia shtoi: “Nëse do të kishin vepruar atëherë, shumë gjëra mund të ishin ndryshe për vajzat që përjetuan të njëjtën gjë pas meje”.

Harkins vazhdoi abuzimin edhe shumë kohë pas atij takimi.

Nadia e bllokoi numrin e tij, por më shumë se një vit më vonë ai ende e ngacmonte, duke kontaktuar njerëz që ajo njihte në rrjetet sociale.

Ajo tha: “Në gjendjen mendore ku më çoi, po të mos kisha vajzën time, do të bëja vetëvrasje”.

Dënimi i vonshëm

Harkins aktualisht po vuan një dënim me 12 vjet burg, pasi u shpall fajtor për 19 vepra kundër 10 grave, përfshirë dhunë fizike dhe seksuale.

Fillimisht ai ishte akuzuar për sjellje kërcënuese dhe abuzive ndaj Nadiës, si dhe për kërcënime ndaj familjes së saj.

Si pjesë e një marrëveshjeje gjyqësore, një deklarim “jo fajtor” u pranua për këtë akuzë dhe Harkins pranoi fajësinë për vjedhjen e më shumë se 214.000 funteve nga gra të ndryshme, përmes mashtrimeve me pushime, skemave të rreme investimi dhe përdorimit të identiteteve të tyre për të marrë kredi bankare.

Ajo që më në fund nxiti një hetim nga Policia e Skocisë ishte fakti që njëra nga gratë iu drejtua medias, në një përpjekje të dëshpëruar për ta ekspozuar Harkinsin dhe për të mbrojtur të tjerat.

Ajo ishte refuzuar më parë nga policia, pasi Harkins e kishte mashtruar duke i marrë 3.247 funte për një pushim të rremë.

Historia e saj u publikua në tetor të vitit 2019.

Shkalla e krimeve të Harkinsit u bë e qartë shumë shpejt dhe policia hapi një hetim zyrtar.

Nadia dhe të tjerat që kishin bërë raportime më të hershme u kontaktuan sërish, dhe këtë herë atyre iu kërkua të jepnin deklarata zyrtare.

Harkins doli në gjyq në vitin 2024.

Ndërsa Nadia lexonte dëshminë e një gruaje që ishte përdhunuar nga Harkins, ajo bëri një zbulim tronditës - ngjarja kishte ndodhur vetëm dy muaj pas takimit të saj me të.

“Ajo vajza mund të shpëtonte nga kjo”, tha ajo.

“Ai mund të ishte arrestuar dhe ajo nuk do të kishte pasur kurrë kontakt me të.

"I neveritshëm. Kaq mund të them. Është e tmerrshme”.

Hetimi i BBC-së zbuloi gjithashtu mashtrime të tjera të dyshuara nga Harkins me një vlerë prej gati 70.000 funte.

BBC kupton se ai kishte shënjestruar të paktën 30 gra.

Gazetarët i shkruan Harkinsit në burg për t’iu përgjigjur këtyre akuzave, por ai nuk dha asnjë përgjigje.

Hetimin e Policisë së Skocisë ndaj Harkinsit e udhëhoqi DCI Lyndsay Laird.

Ajo tha se ishte e vështirë të thuhej pse raportimet nuk ishin hetuar më herët.

“Secili rast ishte raportuar në periudha të ndryshme, pra nuk u trajtuan si një çështje e vetme, por në njësi të ndryshme të Policisë së Skocisë”, shpjegoi ajo.

“Në atë kohë nuk kishte raportime për dhunë fizike apo seksuale.

“Raportimet kishin të bënin kryesisht me çështje financiare, të cilat, kur trajtohen veçmas, shpesh konsiderohen si çështje civile.

Disa gra i kanë treguar BBC-së se kishin raportuar dhunë fizike dhe sjellje seksuale të papërshtatshme vite para se të niste hetimi zyrtar.

Kur u pyet nëse Policia e Skocisë do t’u kërkonte falje viktimave që ishin përpjekur ta raportonin Harkinsin, DCI Laird tha: “Mendoj se është një pyetje shumë e vështirë për t’u përgjigjur. Mendoj se tani kemi një rezultat të suksesshëm gjyqësor, bazuar në hetimin që u zhvillua. Do të thosha se, me të gjitha përmirësimet që kemi bërë që atëherë, shpresoj që ajo përvojë të mos përsëritej sot”.

Në përgjigje të këtyre komenteve, Nadia tha:

“E di që ata vërtet punuan shumë, sapo vendosën të vepronin, por duhej ta kishin bërë më herët.  Ai e bënte këtë për vite me radhë. Gjithçka mund të ishte shmangur. Duhet të kërkojnë falje. Mund ta kishin ndaluar.”

Harkins u dënua me burg vitin e kaluar, pothuajse pesë vjet pas arrestimit të tij të parë.

Ai u shpall fajtor në bazë të dëshmive të dhjetë grave.

Nadia mori një telefonatë për ta informuar mbi rezultatin e gjyqit.

“Ato gra arritën shumë më tepër se sa mund të imagjinoni”,  tha ajo.

“Tani të gjitha ato gra që mund të ishin njohur me të në të ardhmen, nuk kanë më pse të kenë frikë. Ato bënë diçka të jashtëzakonshme”.

Nëna e dy fëmijëve ka arritur të rindërtojë jetën dhe vetëbesimin e saj, por përvoja i ka lënë gjurmë.

“Tani jam shumë mirë”,  tha ajo.

“Jam një njeri krejt tjetër, shumë më e sigurt në vetvete. Nuk kam më frikë të flas dhe nuk do të injoroj më kurrë asnjë shenjë paralajmëruese”.