Botë

Të paktën 23 të vdekur nga shpërthimi i një zjarri në një dyqan në Meksikë

Meksike

Foto: Associated Press

Të paktën 23 persona kanë mbetur të vdekur dhe 11 të tjerë të lënduar si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në një dyqan në Meksikë.

Zjarri ka shpërthyer të shtunën në qendër të qytetit veriperëndimor të Hermosillo në një degë të Ëaldo's - zinxhirit më të madh të dyqaneve me zbritje në Meksikë, raporton BBC.

Autoritetet lokale e kanë përshkruar incidentin si një shpërthim, megjithëse guvernatori rajonal Alfonso Durazo ka thënë se shkaku i saktë ende nuk është përcaktuar.

Sekretariati i sigurisë publike të shtetit të Sonora ka thënë se përjashtonte mundësinë që të ishte një sulm ose akt dhune i qëllimshëm kundër civilëve.

Mes viktimave ka edhe fëmijë, teksa një vajzë 15-vjeçare ishte mes atyre që janë dërguar në spital.

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Sonora-s, Gustavo Salas Chávez, u ka thënë gazetarëve herët të dielën se shumica e të vrarëve kishin vdekur për shkak të "ekspozimit ndaj gazrave toksikë".

Ai ka shtuar se nuk kishte asnjë tregues se zjarri ishte ndezur qëllimisht.

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum ka shkruar në mediat sociale duke u shprehur ngushëllime  familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre.