Të paktën 25 palestinezë janë vrarë në katër sulme ajrore izraelite të mërkurën në një pjesë të Gazës nën kontrollin e Hamasit, duke shënuar një thyerje tjetër të armëpushimit, kanë thënë autoritetet shëndetësore vendase.
Ushtria izraelite ka thënë se forcat e saj goditën objektivat e Hamasit në të gjithë Gazën pasi anëtarët e grupit militant palestinez qëlluan mbi trupat e saj në shkelje të armëpushimit gati gjashtë-javor. Nuk është raportuar për pasoja në mesin e ushtarëve izraelitë.
Hamasi i ka dënuar sulmet izraelite si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të "respektojnë angazhimet e tyre të deklaruara dhe të ushtrojnë presion të menjëhershëm mbi Izraelin për të zbatuar armëpushimin dhe për të ndaluar sulmet e tij".
Por një zyrtar amerikan, i cili ka folur në kushte anonimiteti ka thënë se Hamasi synon të shkelë armëpushimin dhe të mos përmbushë angazhimin e tij për çmilitarizim.
"Këto taktika të dëshpëruara do të dështojnë", ka thënë zyrtari.
Mjekët kanë thënë se 10 persona janë vrarë në periferi të qytetit të Gazës, Zeitoun, dy në periferinë Shejaia në lindje dhe pjesa tjetër në dy sulme të ndara në Khan Younis në Rripin jugor të Gazës.
Incidentet e përsëritura me të shtëna kanë treguar brishtësinë e armëpushimit.
Izraeli dhe Hamasi kanë shkëmbyer faje për atë që të dyja e quajnë shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, faza e parë e planit 20-pikësh të presidentit, Donald Trump për një Gazë pas luftës.
Izraeli thotë se tre nga ushtarët e tij janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit dhe ka shënjestruar dhjetëra luftëtarë.
Shkon në 33 numri i të vdekurve nga sulmet e reja në Gazë
Disa sulme ajrore izraelite në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis dhe po ashtu në Qytetin e Gazës herët të enjten e kanë çuar numrin e të vdekurve në territorin palestinez gjatë një periudhe afërsisht 12-orëshe, në 33.
Sulmet kanë qenë ndër më vdekjeprurëset që nga 10 tetori, kur ka hyrë në fuqi armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Rikthimi i përshkallëzimit ka ardhur pasi Izraeli ka thënë se ushtarët e tij ishin qëlluar në Khan Younis të mërkurën. Izraeli ka thënë se asnjë ushtar nuk është vrarë dhe se ushtria është përgjigjur me sulme.
Katër sulme ajrore izraelite në tendat që strehonin njerëz të zhvendosur në Khan Younis vonë të mërkurën dhe herët të enjten vranë 17 persona, përfshirë pesë gra dhe pesë fëmijë, sipas zyrtarëve në Spitalin Nasser.
Në qytetin e Gazës, dy sulme ajrore në një ndërtesë vranë 16 persona, përfshirë shtatë fëmijë dhe tre gra, sipas zyrtarëve në spitalin Al-Shifa në pjesën veriore të qytetit ku u morën trupat.
Grupi militant Hamas i ka dënuar sulmet izraelite si një "masakër tronditëse".
Në një deklaratë, Hamasi e ka mohuar të ketë qëlluar drejt trupave izraelite.