Të paktën 55 persona kanë humbur jetën nga një zjarr i madh që përfshiu apartamente banimi publik në lagjen Tai Po të Hong Kongut.

Ndërkohë, më shumë se 270 persona ende nuk janë gjetur.Tre drejtues të kompanive të ndërtimit janë arrestuar me dyshimin për vrasje të paqëllimshme të lidhur me materiale të ndezshme, duke përfshirë rrjetë dhe fletë plastike, të cilat mund të kenë lejuar që zjarri të përhapej me shpejtësi.

Pas 18 orësh, zyrtarët kanë thënë se zjarri është nën kontroll. Është klasifikuar si zjarr i nivelit pesë, niveli më serioz në Hong Kong.

Arrin në 83 numri i të vdekurve nga zjarri në Hong-Kong

2 j. më parë / 27 nën 2025 20:40
Hong Kong - zjarri

Ka arritur në 83 numri i të vdekurve nga zjarri që ka shpërthyer të mërkurën në një kompleks banesash të larta në Hong Kong, raporton agjencia "AP". 

Për të dytën ditë rresht, zjarrfikësit kanë vazhduar përpjekjet për t’i shuar flakët.

Zjarri, i cili shkatërroi shtatë nga tetë ndërtesat në lagjen Tai Po, është vënë nën kontroll, ka thënë udhëheqësi i Hong Kongut, John Lee.

Ai tha të enjten se është humbur kontakti me 279 persona, që kanë qenë në ndërtesat e kompleksit Wang Fuk Court.

“Jam thellësisht i tronditur nga zjarri i nivelit 5 që shpërtheu dje pasdite në Wang Fuk Court në Tai Po, i cili shkaktoi shumë viktima...Ne do të ofrojmë çdo mbështetje të mundshme”, ka deklaruar Lee.

Zjarrfikësit janë përpjekur t’i kontrollojnë flakët që nga e mërkura pasdite, kur besohet se zjarri filloi në skelat prej bambuje dhe në rrjetën mbrojtëse të ndërtimit, për t’u përhapur më pas në shtatë nga tetë ndërtesat e kompleksit.

Wong Ka-Wing, i cili është zëvendësdrejtor i Shërbimit të Zjarrfikësve, tha se ndërhyrja ka qenë sfiduese.

“Sfida jonë më e madhe është temperatura shumë e lartë në vendin ku shpërtheu zjarri. Për më tepër, plani i brendshëm i ndërtesave është shumë i komplikuar, sepse skelat janë shembur”, ka thënë Ka- wing.

E të enjten herët u shpërndanë ushqime, ujë dhe rroba në një shkollë ku janë strehuar banorët e ndërtesave ku shpërtheu zjarri.

Tse Kam-fai, 70 vjeç, banor i kompleksit Wang Fuk Court, i cili gjeti strehim në shkollë, tha se zjarri ishte masiv dhe dukej si në film.

“Zjarri ishte jashtëzakonisht i madh. Më vonë u bë edhe më i fuqishëm dhe përfshiu ndërtesën tonë. Dukej sikur skenë filmi”, ka deklaruar Kam- fai.

Zyrtarët thanë të enjten pasdite se zjarri në katër ndërtesa është shuar plotësisht, ndërsa tri kullat e tjera janë nën kontroll.

E Komisioni i Pavarur Kundër Korrupsionit (ICAC) i Hong-Kongut ka njoftuar se do të nisë hetim penal mbi punimet e rinovimit në kompleksin e banesave Wang Fuk Court.

Nëpërmjet një deklarate, ky komision bëri të ditur se ka krijuar një grup pune të posaçëm për të kryer hetim të plotë mbi korrupsionin e mundshëm në lidhje me punimet e mëdha të rinovimit.
Wang Fuk Court ka qenë kompleks banesor për rreth 4.600 banorë. 
 

Shkon në 75 numri i të vdekurve nga zjarri në Hong Kong

2 j. më parë / 27 nën 2025 16:29
Zjarri në Hong Kong

Photo: Associated Press

Ka shkuar në 75 numri i të vdekurve nga zjarri masiv në Hong Kong. 

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, edhe 76 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e flakëve, raportoi BBC-ja.

Sekretari kryesor i administratës së Hong Kongut, Eric Chan, ka njoftuar se do të ketë "hetimin gjithëpërfshirës" që do të kryhet pas zjarrit vdekjeprurës.

Sipas tij, do të ketë hetim penal nga policia, nëse materiali mbrojtës në murin e jashtëm të ndërtesës "përmbushte standardet e rezistencës ndaj zjarrit".

Chan thotë se ata synojnë të "përcaktojnë plotësisht shkakun e zjarrit dhe t'i mbajnë përgjegjës ata që janë".

65 të vdekur dhe mbi 300 të zhdukur nga zjarri në Hong Kong

2 j. më parë / 27 nën 2025 14:39
Hong Kong

Photo: Associated Press

Ka shkuar në 65 numri i personave të vrarë dhe gati 300 të të zhdukurve si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu një kompleks të lartë banesash publike në Hong Kong.

Zjarri, i cili shkatërroi shtatë nga tetë blloqe ndërtesash në lagjen Tai Po të mërkurën, tani është "në thelb nën kontroll", ka thënë udhëheqësi i Hong Kongut.

Blloku i banesave është shtëpia e rreth 4,600 banorëve, sipas shifrave më të fundit të regjistrimit të popullsisë. Nuk është e qartë se sa ishin brenda kur shpërtheu zjarri.

Tani po diskutohet si si shpërtheu flaka dhe kush duhet të mbahet përgjegjës. 

Policia thotë se materiali rrjetë dhe fletët plastike në pjesën e jashtme të ndërtesës nuk ishin të papërshkueshme nga zjarri.

Tre drejtues të kompanive të ndërtimit janë arrestuar me dyshimin për vrasje të paqëllimshme dhe është nisur një hetim për korrupsion të mundshëm.

Djegia e banesave në Hong Kong - nis një hetim për korrupsion

2 j. më parë / 27 nën 2025 11:24
Zjarri

Photo: Associated Press

Komisioni i Pavarur Kundër Korrupsionit (ICAC) i Hong Kongut thotë se do të nisë një hetim penal mbi punimet e rinovimit në kompleksin e banesave Wang Fuk Court, ku deri më tani dihet për të paktën 55 të vdekur.

Në një deklaratë, ICAC-ja ka thënë se ka "krijuar një grup pune të posaçëm ... për të kryer një hetim të plotë mbi korrupsionin e mundshëm në lidhje me punimet e mëdha të rinovimit".

Komisioni ka shprehur "ngushëllimet e tij më të thella për viktimat e zjarrit".

Zjarri ka përfshirë shtatë nga tetë pallate në lagjen Tai Po. Zjarret janë nën kontroll në katër prej tyre dhe zyrtarët shpresojnë t'i shuajnë ato që kanë mbetur deri në mbrëmje.

Sipas shifrave të fundit, Wang Fuk Court është shtëpia e rreth 4,600 banorëve. Nuk është e qartë se sa ishin brenda kur shpërtheu zjarri.