Qindra shpëtimtarë janë dërguar për të kërkuar personat e zhdukur në qendër të Teksasit, pas përmbytjeve të papritura që kanë shkaktuar 51 viktima, përfshirë 15 fëmijë. Zona më e prekur është Qarku Kerr, ku 43 persona kanë humbur jetën dhe 27 fëmijë janë ende të zhdukur nga një kamp rinor i krishterë që ndodhet përgjatë lumit Guadalupe.
“Puna vazhdon dhe do të vazhdojë deri sa të gjenden të gjithë”, ka premtuar Larry Leitha, sherifi i Qarkut.
Janë konfirmuar gjithashtu viktima edhe në pjesë të tjera të shtetit, përfshirë Qarkun Travis dhe Qarkun Tom Green.
Rreth 850 persona janë shpëtuar deri tani.
Në një konferencë për shtyp të shtunën pasdite, Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se kishte nënshkruar një ‘shpallje të zgjeruar të katastrofës’ për të përshpejtuar përpjekjet e kërkimit. Ai theksoi se autoritetet do të jenë të palodhur në përpjekjet e tyre për të gjetur “çdo person që ka qenë viktimë e kësaj ngjarjeje”, duke shtuar se “do të ndalojmë vetëm kur ta përfundojmë punën”.