Qeveria talebane në Afganistan ka konfirmuar se ka sulmuar trupat pakistaneze në disa zona malore përgjatë kufirit verior.
Një zëdhënës i talebanëve tha se 58 ushtarë të ushtrisë pakistaneze janë vrarë në atë që e quajti “akt hakmarrjeje”. Sipas tij, ushtria pakistaneze kishte shkelur hapësirën ajrore të Afganistanit dhe kishte bombarduar një treg brenda territorit afgan të enjten, raporton BBC.
Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Mohsin Naqvi, tha se sulmet nga Afganistani ndodhën pa asnjë arsye dhe se u qëllua edhe mbi njerëz të pafajshëm. Ai tha se ushtria pakistaneze do të përgjigjet me forcë.
Qeveria e Pakistanit ka akuzuar Afganistanin se strehon terroristë që sulmojnë Pakistanin, por talebanët e kanë mohuar këtë.
Sipas raportimeve, të dyja palët, Afganistani dhe Pakistani - kanë përdorur armë të vogla dhe artileri në rajonin Kunar-Kurram.
Në një konferencë për shtyp të dielën, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, tha se përveç 58 ushtarëve të vrarë, rreth 30 të tjerë janë plagosur.
Ai shtoi se edhe nga ana e talebanëve janë vrarë 9 luftëtarë dhe janë plagosur nga 16 deri në 18 persona.
Ministri i Jashtëm afgan tha në një konferencë për shtyp në New Delhi tha se nuk kanë probleme me popullin apo udhëheqësinë e Pakistanit, por disa grupe brenda Pakistanit po përpiqen të prishin situatën.
Sipas tij, Afganistani ka të drejtë të mbrojë territorin dhe kufijtë e tij, ndaj dhe është kundërpërgjigjur ndaj shkeljes.
Ushtria pakistaneze nuk ka bërë ende një koment zyrtar, por një burim sigurie i tha BBC-së se të shtënat ndodhën në disa zona përgjatë kufirit mes dy vendeve, përfshirë Angoor Addna, Bajaurin, Kurramin, Dirin, Chitralin dhe Baramchan.