Kolumbia Perëndimore është tronditur nga një seri prej 24 sulmesh të koordinuara të martën që kanë marrë jetën e të paktën shtatë personave dhe kanë lënë të plagosur 28 të tjerë, sipas policisë Kombëtare.
Vala e bombardimeve dhe të shtënave është kryer nga grupi gueril i Shtabit të Përgjithshëm Qendror (EMC) në departamentet Cauca dhe Valle de Cauca, duke prekur qytete të mëdha si Cali dhe Buenaventura.
Dhuna vjen vetëm disa ditë pasi kandidati presidencial, Miguel Uribe është qëlluar në një tubim fushate, duke intensifikuar shqetësimet në lidhje me përkeqësimin e situatës së sigurisë në vend.
Pesë civilë dhe dy oficerë policie u vranë gjatë dhunës, ndërsa 19 civilë, shtatë policë dhe dy ushtarë u plagosën, sipas një deklarate nga policia.
Sulmet e koordinuara përdorën një sërë metodash të dhunshme, duke përfshirë bomba me vetura dhe motoçikleta, sulme me armë dhe eksplozivë të hedhur.
EMC, një grup i ndarë nga Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), tashmë të shpërbëra, ka kryer ofensiva të ngjashme në të kaluarën, por jo në këtë shkallë.
“Kjo është hera e parë që e kanë bërë këtë në një mënyrë kaq të koordinuar në kaq shumë zona gjeografike”, ka thënë Elizabeth Dickinson, analiste e Lartë e Kolumbisë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
Veçanërisht, sulmet kanë prekur Calin, qytetin e tretë më të madh të Kolumbisë, i cili ka mbetur kryesisht i paprekur nga dhuna e fundit guerile në rajon.