Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Administrata Trump shton përpjekjet për t'ua hequr shtetësinë amerikanëve të natyralizuar

Donald Trump

Foto: Associated Press

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, planifikon të paraqesë të paktën 250 raste për heqjen e shtetësisë (denaturalizim) deri në muajin tetor, duke intensifikuar ndjeshëm përpjekjet për t’ua revokuar shtetësinë personave që janë natyralizuar në Shtetet e Bashkuara, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Drejtësisë i cili ka folur për CNN.

Në më pak se dy muaj gjatë këtij viti, Departamenti i Drejtësisë ka paraqitur 29 raste denaturalizimi kundër shtetasve amerikanë të lindur jashtë SHBA-së, të cilët akuzohen se e kanë marrë shtetësinë amerikane në mënyrë mashtruese.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Juristët civilë po shqyrtojnë në mënyrë aktive raste të tjera për t’i dërguar në gjykatë, ndërsa departamenti po rrit ritmin e veprimeve të tij në një nivel që tashmë ka tejkaluar vitet e mëparshme.

Sipas të dhënave të Universitetit të Sirakuzës, midis vitit 2008 dhe 12 qershorit 2026 janë paraqitur gjithsej 166 ankesa për denaturalizim, një mesatare prej më pak se 10 rastesh në vit.

Kjo nismë është pjesë e agjendës më të gjerë dhe agresive të Trumpit për emigracionin, e cila ka shkuar përtej synimit ndaj personave që ndodhen ilegalisht në vend, dhe tregon se si agjencitë federale kanë ridrejtuar burimet e tyre për t’i dhënë përparësi kësaj politike.

Sipas zyrtarit të lartë të Departamentit të Drejtësisë, prapa skenave departamenti ka transferuar juristë civilë nga sektorë të ndryshëm, përfshirë edhe ata që merren me hetimin e mashtrimeve, për t’u marrë me rastet e denaturalizimit.

Këto raste po u dërgohen gjithashtu zyrave të prokurorëve federalë amerikanë, në një kohë kur shumë prej tyre tashmë po përballen me ngarkesë të madhe pune.

Rastet e paraqitura deri tani nga administrata Trump përfshijnë persona që akuzohen për mashtrim, abuzim seksual ndaj të miturve ose për shprehje mbështetjeje ndaj terrorizmit para ose gjatë procesit të natyralizimit.

Qeveria federale ka autoritet ligjor, sipas legjislacionit federal, të kërkojë heqjen e shtetësisë së një individi nëse ai ka bërë deklarata të rreme që kanë pasur rëndësi për procesin e natyralizimit, ose nëse shtetësia është marrë në mënyrë të paligjshme, që do të thotë se personi nuk ka qenë i kualifikuar për ta fituar atë.

Heqja e shtetësisë nuk zbatohet për personat që kanë lindur në SHBA dhe e kanë fituar shtetësinë në momentin e lindjes.

Në dekadën e fundit, gati 8 milionë njerëz janë bërë qytetarë të natyralizuar amerikanë, sipas Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së.