Botë

AfD-ja padit inteligjencën gjermane

AfD

Foto: Associated Press

Një gjykatë gjermane ka bërë të ditur të hënën se partia e ekstremit të djathtë "Alternativa për Gjermaninë" ka ngritur një padi, duke kundërshtuar vendimin e agjencisë vendase të inteligjencës për ta klasifikuar atë si një organizatë ekstremiste.

Një zëdhënës i gjykatës administrative në Këln ka thënë se padia dhe një peticion urgjent përkatës janë dorëzuar, dhe të dyja do të shqyrtoheshin pasi agjencia vendase e inteligjencës BfV të kishte konfirmuar se ishte njoftuar, raporton Reuters.

Klasifikimi ekstremist i shpallur të premten i lejon agjencisë së spiunazhit të rrisë monitorimin e AfD-së, partisë më të madhe opozitare në parlament, për shembull duke rekrutuar informatorë dhe duke përgjuar komunikimet partiake.

Raporti prej 1.1000 faqesh i ekspertëve të agjencisë, i cili nuk do të publikohet, thotë se AfD-ja është një organizatë raciste dhe anti-muslimane.

Parlamenti gjerman tani mund të përpiqet të kufizojë ose të ndalojë fondet publike për AfD-në.

Qeveria e ardhshme do të shqyrtojë gjithashtu nëse do të nisë një përpjekje për një ndalim të plotë të partisë, ka thënë javën e kaluar kreu i SPD-së, Lars Klingbeil.

AfD-ja e ka denoncuar përcaktimin si një përpjekje të motivuar politikisht për ta diskredituar dhe kriminalizuar atë.

Padia e saj vjen një ditë përpara se lideri konservator, Friedrich Merz, të zgjidhet kancelar nga dhoma e ulët e parlamentit të Gjermanisë, dhe mes një debati të ashpër brenda partisë së tij mbi mënyrën se si të merret me AfD-në.