Botë

Agjentët e imigracionit qëllojnë për vdekje një 37-vjeçare në SHBA

Minneapolis

Një agjent i imigracionit amerikan ka qëlluar për vdekje një grua 37-vjeçare në qytetin e Minneapolis, duke shkaktuar shumë reagime, ndërsa zyrtarët lokalë hodhën poshtë pretendimin e administratës Trump se kjo ishte vetëmbrojtje.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka thënë se gruaja, Renee Nicole Good, ishte një "tradhtare e dhunshme" që u përpoq të shtypte agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE).

Por kryetari i bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey ka thënë se "ky ishte një agjent që përdori pushtetin në mënyrë të pamatur që rezultoi në vdekjen e dikujt", duke u thënë zyrtarëve të ICE-së me fjalë fyese që të largoheshin nga qyteti.

Qindra agjentë të ICE-së janë vendosur në Minneapolis, në shtetin e Minesotës, si pjesë e goditjes së Shtëpisë së Bardhë kundër imigracionit të paligjshëm.

Videot e postuara në mediat sociale nga kalimtarët tregojnë momentin e të shtënave, të cilat ndodhën rreth orës 10:25 të mërkurën.

Nga pika të ndryshme të vëzhgimit, një veturë ngjyrë gështenje mund të shihet duke bllokuar një rrugë banimi në Minneapolis.

Një turmë njerëzish, të cilët duket se po protestojnë, janë rreshtuar në trotuar.

Automjetet e zbatimit të ligjit shfaqen aty pranë. Agjentët e imigracionit ndalojnë te automjeti i parkuar në rrugë, dalin nga kamioni dhe i thonë gruas pas timonit të dalë nga vetura. Njëri nga agjentët tërheq dorezën e derës së shoferit.

Një agjent tjetër është pozicionuar pranë pjesës së përparme të automjetit.

Nuk është e qartë saktësisht se sa afër qëndron agjenti ose nëse është goditur nga automjeti bazuar në videot e shqyrtuara nga BBC-ja.

Ky agjent hap zjarr ndërsa vetura ngjyrë gështenjë përpiqet të largohet.

Dëgjohen tri krisma dhe automjeti shihet duke humbur kontrollin dhe duke u përplasur me një veturë të parkuar aty pranë përgjatë rrugës.