Botë

Armëpushimi dramatik, gjithçka mbetet në mjegull

Iran

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të hënën në mbrëmje se është arritur armëpushim “i plotë” në mes të Izraelit dhe Iranit. Por ky armëpushim është në mjegull pak orë pasi Trumpi e shpalli. Izraeli në mëngjesin e të martës ka akuzuar Iranin se e ka shkelur marrëveshjen dhe se do t’i “përgjigjet me forcë”. Ndërkaq, një zyrtar i lartë në Iran i ka thënë CNN-it se pas mesnatës nga Irani “nuk është hedhur as një raketë”.

Gjithçka që dihet deri tash:

Trumpi shpall armëpushimin e befasishëm: “Dua të uroj të dyja shtetet, Izraelin dhe Iranin, për guximin dhe inteligjencën, për t’i dhënë fund asaj që do të quhet ‘Lufta 12-ditëshe’”.

Irani dhe Izraeli njoftuan pastaj publikisht se janë pajtuar me marrëveshjen që ishte paraparë që të hynte në fuqi në mëngjes.

Izraeli akuzon Iranin për shkelje të marrëveshjes: E të martën në mëngjes, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se shteti i tij “do t’i përgjigjet me forcë” Iranit “pas shkeljes flagrante” të armëpushimit. Ushtria e Izraelit ka ndalur dy raketa të lëshuara prej Iranit, sipas Ushtrisë së Izraelit.

Irani mohon akuzat: Mediat e pushtetit në Iran kanë mohuar se Irani ka sulmuar Izraelin. Një zyrtar i lartë i sigurisë në Iran ka shtuar se pas orës 7:30 në mëngjes “asnjë raketë nuk është lëshuar në drejtim të armikut”. “Nëse Izraeli bën gabim, të gjitha territoret e pushtuara do të sulmohen, sikur një orë para se lufta të ndalej”, ka thënë zyrtari.

Bota shikon: Njoftimi i Trumpit për ndërprerje të luftës u prit me lehtësim e optimizëm të matur. Katari ka ndihmuar Iranin që të bindet, ndërsa liderët e rajonit e lavdëruan marrëveshjen. Kina ndërkohë ka thënë se shpreson që marrëveshje do të zbatohet. Por armëpushimet në rajon janë gjithmonë të brishta dhe mundësia e përshkallëzimit ngelet.

Marrëveshja pas sulmit të Iranit: Çdo armëpushim, edhe një fragjil, dukej larg para 24 orëve, kur SHBA-ja u përball me hakmarrjen iraniane pasi Trumpi urdhëroi sulmin në tri fabrikat bërthamore të këtij shteti. Por lëvizja e Iranit u hesht: Katari ndali raketat iraniane që ishin drejtuar kah bazat amerikane.

A e ka radhën prapë Gaza? Yair Lapid, lider opozitar izraelit, ka thënë se pas njoftimit të Trumpit për armëpushim “tani është momenti që ta mbyllim frontin” në Gazë. “Të kthejmë pengjet, t’i japim fund luftës. Izraeli duhet të nisë të rindërtohet”, ka thënë ai. Mbi 55 mijë njerëz janë vrarë nga sulmet e Izraelit kundër Hamasit në enklavë e dhjetëra pengje izraelite mbesin të kapura. “Ata që mund të arrijnë armëpushim me Iranin, mund t’i japin fund edhe luftës në Gazë”, ka thënë Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve në një deklaratë të martën.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

Armëpushimi i Trumpit nuk zgjat as dy orë