Bilanci i të vdekurve nga rrëzimi i aeroplanit të kompanisë “Air India” ka arritur shifrën e 270 personave të shtunën, përderisa familjet po bëhen gjithnjë e më të shqetësuara për shkak të vonesave në dorëzimin e trupave, të cilët janë djegur rëndë nga tragjedia në qytetin perëndimor indian të Ahmedabadit.
Avioni Boeing 787-8 Dreamliner, me 242 persona në bord dhe me destinacion Aeroportin Gatwick në Britani, filloi të humbiste lartësinë disa sekonda pas ngritjes të enjten derisa u përplas me ndërtesat poshtë, në atë që po konsiderohet si fatkeqësia më e rëndë ajrore në botë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ka raportuar Reuters.
Të paktën 270 trupa janë nxjerrë nga vendi i aksidentit ajror, ka thënë para gazetarëve, Dhaval Gameti, president i Shoqatës së Mjekëve të Rinj në Kolegjin Mjekësor B.J.
Vetëm një nga 242 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit që ndodheshin në bord mbijetoi, ndërsa të tjerët humbën jetën kur avioni goditi konviktin e kolegjit mjekësor gjatë përplasjes.
Kjo krizë ka hedhur një hije të rëndë mbi “Air Indian”, e cila është përpjekur që për vite me radhë ta rindërtojë reputacionin dhe ta rinovojë flotën e saj, pasi korporata shumëkombëshe “Grupi Tata” mori kontrollin e kompanisë nga qeveria indiane në vitin 2022.
Kryetari i grupit Tata ka thënë të premten se ata duan të kuptojnë çfarë ndodhi, porse “aktualisht nuk e dinë.”