Barclays ka thënë për BBC-në se 77% e mashtrimeve po ndodhin tani në mediat sociale, në tregjet në internet dhe në aplikacionet e takimeve. TSB-ja ka bërë të ditur se një rritje e madhe në rastet e imitimit, të investimeve dhe mashtrimit të blerjeve ishin shtytësit kryesorë të kësaj. Ajo ka zbuluar se mashtrimet e imitimit në WhatsApp ishin trefishuar brenda një viti, ndërsa listimet e rreme në Facebook Marketplace ishin dyfishuar
Bankat kanë paralajmëruar për një rritje të madhe të mashtrimit në vitin 2022, ku shumica e tyre e kanë origjinën online.
Barclays ka thënë për BBC-në se 77% e mashtrimeve po ndodhin tani në mediat sociale, në tregjet në internet dhe aplikacionet e takimeve.
TSB-ja ka bërë të ditur se një rritje e madhe në rastet e imitimit, investimeve dhe mashtrimit të blerjeve ishin shtytësit kryesorë të kësaj.
Ajo ka zbuluar se mashtrimet e imitimit në WhatsApp ishin trefishuar brenda një viti, ndërsa listimet e rreme në Facebook Marketplace ishin dyfishuar.
Gjithashtu ka treguar se ka pasur “rritje të mëdha mashtrimi” në platformat në pronësi të Meta-s, të tilla si WhatsApp dhe Facebook.
Një zëdhënës i Metas ka thënë për BBC-në se beson se mashtrimi është “problem në të gjithë industrinë”.

“Mashtruesit po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara për t’i mashtruar njerëzit në një sërë mënyrash, duke përfshirë emailet, SMS-të”, ka thënë ai.
“Nuk duam që askush të bjerë viktimë e këtyre kriminelëve, kjo është arsyeja pse platformat tona kanë sisteme për t’i bllokuar mashtrimet, reklamuesit e shërbimeve financiare tani duhet të jenë të autorizuar nga FCA-ja (Autoriteti i Sjelljes Financiare) dhe ne zhvillojmë fushata ndërgjegjësimi të konsumatorëve se si të dallojnë sjellje mashtruese”.
“Epidemia e mashtrimeve”
Liz Ziegler, drejtoresha e parandalimit të mashtrimit të Lloyds Banking Group, ka shpjeguar se bankat po përballen me një “epidemi mashtrimesh”.
“Me më shumë se 70% të mashtrimit që fillon me kontaktin përmes platformave kryesore të teknologjisë, këto kompani duhet të mbahen përgjegjëse për ndalimin e mashtrimeve në burim dhe rregullimin e gjërave për viktimat e pafajshme”, ka theksuar ajo.
Më parë, shefi ekzekutiv i NatWest, Alison Rose, i ka thënë një Komiteti të Përzgjedhur të Thesarit se tre milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar ishin viktima të mashtrimit në vitin 2022.
“Ne kemi parë një rritje prej 87% të mashtrimit”, ka theksuar ajo, duke shtuar se NatWest vlerësoi se 60% e mashtrimeve kishin origjinën në mediat sociale dhe platformat teknologjike.
Ndërkohë, TSB-ja ka bërë të ditur se 60% e rasteve të mashtrimit të blerjeve për të cilat ajo është në dijeni - ku një mashtrues shet një artikull që nuk ka ndërmend t’ia dërgojë blerësit - ndodhin në Facebook Marketplace, dhe dy të tretat e rasteve të mashtrimit të imitimit që ajo sheh po ndodhin në WhatsApp.
Banka ka njoftuar se ka lëshuar 2.650 rimbursime që mbulojnë këto raste vitin e kaluar.
Paul Davis, drejtori i parandalimit të mashtrimit në TSB, ka treguar se ai besonte se kompanitë e mediave sociale “duhet t’i pastrojnë urgjentisht platformat e tyre” për t’i mbrojtur konsumatorët.
“Është koha që mediat sociale dhe kompanitë telefonike të marrin përgjegjësi financiare për rritjen e niveleve të mashtrimit që po ndodhin në platformat e tyre”, ka përfunduar ai.
Fondet e kthyera
Sipas shifrave më të fundit nga UK Finance, që përfaqëson sektorin bankar dhe financiar, 56% e shumës totale të humbur nga mashtrimet iu kthyen klientëve në gjysmën e parë të vitit 2022.
Shumë banka, duke përfshirë NatWest, Lloyds dhe Barclays, janë nënshkruar në Kodin e Modelit të Rimbursimit të Kushtëzuar, i cili synon të rimbursojë njerëzit nëse bien viktimë e një mashtrimi të Autorizuar Push Payment (APP) “dhe kanë vepruar siç duhet”.
Një mashtrim APP është kur një person mashtrohet për të transferuar para në një llogari të operuar nga një mashtrues.
Por TSB-ja thotë se rimburson njerëzit në 97% të të gjitha rasteve të mashtrimit që sheh dhe po bën fushatë që të tjerët të ndjekin shembullin.
Rocio Concha, drejtoreshë e politikave dhe avokimit në grupin e konsumatorëve Which?, ka thënë se statistikat “ekspozojnë shkallën shqetësuese” të mashtrimit në mediat sociale.
“Ligji i Sigurisë në internet ka kaluar në Parlament për më shumë se një vit dhe përparimi ka qenë shumë i ngadaltë, me njerëzit që ende mashtrohen çdo ditë”, ka thënë ajo.
“Qeveria duhet të ndërmarrë një hap jetik në luftën kundër mashtrimit duke siguruar që projektligji të përfshijë mbrojtjen më të fortë të mundshme për konsumatorët dhe të miratohet në ligj pa vonesa të mëtejshme”.
Përktheu: Blerta Haxhiu