Botë

BE-ja diskuton zhbllokimin e 140 miliardë eurove nga asetet e ngrira ruse për të financuar Ukrainën

Ursula von der Leyen dhe Kaja Kallas

Foto: Associated Press

Ministrat e Financave të BE-së kanë nisur të mblidhen në Bruksel të enjten për të diskutuar agjendën ekonomike dhe financiare të bllokut, duke përfshirë çështjen gjithnjë e më urgjente të financimit për Ukrainën.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë në një intervistë për Bloomberg, të publikuar të enjten se mbijetesa e vendit varet nga marrja e më shumë fondeve nga aleatët.

"Shpresoj, Zoti e bëftë, që ta kemi këtë vendim”, i ka thënë ai televizionit Bloomberg.

Nëse jo, "Do të duhet të gjejmë një alternativë, është çështje e mbijetesës sonë. Kjo është arsyeja pse kemi shumë nevojë për të. Dhe unë mbështetem te partnerët”, ka shtuar ai.

Komisioni Evropian shpreson të bindë shtetet anëtare dhe Belgjikën në veçanti, ndërsa vazhdon të bllokojë propozimin për shkak të frikës ligjore, që të vazhdojnë me një kredi dëmshpërblimi (rast kur Ukraina do të merrte një kredi të mbështetur nga asetet e ngrira ruse, me kushtin që ajo të shlyhej vetëm pasi Rusia t’i paguante Ukrainës dëmshpërblimet zyrtare të luftës), prej 140 miliardë eurosh bazuar në asetet e ngrira ruse.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka këmbëngulur të enjten se kjo do të ishte "mënyra më efektive për të mbështetur mbrojtjen dhe ekonominë e Ukrainës".

Një vendim përfundimtar për këtë çështje është shtyrë deri në samitin e udhëheqësve të BE-së në dhjetor.

Por bisedimet vijnë në një moment të vështirë për Kievin, pasi Zelenskyt iu desh të vepronte për të frenuar zemërimin e qytatarëve të Ukrainës për shkak të një skandali korrupsioni në sektorin e energjisë, duke shkarkuar dy ministra të akuzuar për përfshirje në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë.