Botë

Belgjika heton dronët e dyshimtë që fluturuan mbi një bazë ushtarake të saj

Drone

Foto: Associated Press

Belgjika ka hapur një hetim pas vërejtjes së dronëve mbi një bazë ushtarake në juglindje të vendit, ka thënë të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Theo Francken, rasti i dytë në vend brenda më pak se një muaji.

Francken ka thënë në dy postime në X se rojet në kazermat në qytetin Marche-en-Famenne kishin vënë re disa dronë që fluturonin mbi pjesë të rëndësishme të bazës ushtarake të dielën dhe të martën, duke nxitur një hetim të policisë dhe agjencisë së inteligjencës ADIV.

"Kjo nuk ishte punë e amatorëve, por e pilotëve të aftë për dronë", ka shtuar Francken në postimin e tij.

Vendet e NATO-s kanë qenë në gatishmëri të lartë në javët e fundit pas vërejtjes të dronëve dhe ndërhyrjeve të tjera ajrore, duke përfshirë në një bazë tjetër ushtarake belge, në aeroportet në Kopenhagë, Munchen dhe në rajonin e Baltikut.

Të dielën Lituania ka mbyllur Aeroportin e Vilniusit dhe kalimet kufitare të Bjellorusisë pasi disa objekte, të identifikuara si balona të mundshme me helium, hynë në hapësirën e saj ajrore.

Më herët këtë muaj, Komisioni Evropian propozoi katër projekte kryesore të mbrojtjes evropiane, duke përfshirë një sistem kundër dronëve dhe një plan për të fortifikuar kufirin lindor, si pjesë e një përpjekjeje për ta përgatitur kontinentin për t’u mbrojtur deri në vitin 2030.