Në fazat e hershme të luftës dronët e vegjël fluturonin deri në 10 kilometra nga fronti. Mirëpo tani operatorët ukrainas duhet të jenë më afër, për të shmangur sinjalet bllokuese të ushtrisë ruse. Dronët, të përdorur për mbikëqyrje dhe shpesh si armë – kanë qenë në krye të inovacionit në këtë konflikt
Operatorët kibernetikë të Ukrainës janë angazhuar në frontin e luftës, duke bërë duele në distanca të afërta me rusët në betejën e re të teknologjisë së lartë.
“Kemi njerëz që janë të përfshirë direkt në luftime”, ka thënë Illia Vitiuk, shef i Departamentit të Kibernetikës në Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës.
Duke folur brenda bazës së fortifikuar të SBU-së, ai sqaron sesi ekipet e tij përziejnë aftësitë e hakerëve dhe forcave speciale – duke hyrë në sistemet e Rusisë, duke punuar me snajperët dhe duke vënë në përdorim teknologjitë më të reja.
Departamenti përdor sistemet e njohjes vizuale me inteligjencë artificiale për të analizuar informacionin e mbledhur nga dronët vëzhgues (krahas inteligjencës nga burimet njerëzore, satelitët dhe burimet e tjera teknike) për të siguruar caqet për ushtrinë ukrainase.
“E kuptojmë se çfarë lloji të armëve do të përdorim dhe në çfarë drejtimi”, thotë Vitiuk.
Ekipet e tij gjithashtu hakojnë kamerat e mbikëqyrjes në territoret e pushtuara për të vëzhguar lëvizjet e trupave ruse. Dhe ata drejtojnë dronët vetëvrasës për të shkatërruar kamerat ruse që spiunojnë lëvizjet e ushtrisë ukrainase. Për ta bërë këtë, ekipet shpesh punojnë në fshehtësi, shumë afër cakut të tyre.
Dronët, të përdorur për mbikëqyrje dhe shpesh si armë – kanë qenë në krye të inovacionit në këtë konflikt.
Ekipi kibernetik i SBU-së drejton dronët dhe luajnë lojën e maces me miun për të penguar dronët që i përkasin Rusisë. Ekipi vendos sensorë për të vërejtur dronët me qëllim që operatorët të mos mund t’i bllokojnë ata, por të përpiqen t’i marrin nën kontorll, duke urdhëruar komanda për t’i ulur në tokë.
Krejt kjo punë shpesh duhet të bëhet në afërsi të bazave ruse. Kjo, në anën tjetër, përbën rrezik për anëtarët e ekipit. “Duhet t’i mbroni. Kështu që duhet të keni siguri edhe përreth anëtarëve”, ka thënë Vitiuk.
Stërvitja e ekipeve
Në periferi të kryeqytetit, operatorët ushtarakë po mësojnë si t’i përdorin dronët.
Antoni, i cili ka mësuar të drejtoj dronët nga jeta e tij e mëparshme si ciceron i nivelit të lartë, thotë se është mësimi më i rëndësishëm në pilotimin e dronëve nuk është se si të mësojnë t’i drejtojnë ata, por se si të qëndrojnë gjallë dhe të mos kapen nga armiku.
Në fazat e hershme të luftës, dronët e vegjël fluturonin deri në 10 kilometra nga fronti. Mirëpo tani operatorët ukrainas duhet të jenë më afër, për të shmangur sinjalet bllokuese të ushtrisë ruse.
“Distanca nga vija e frontit tani po shkurtohet”, ka thënë Anton, teksa shikon dronin që fluturonte mbi kokën e tij. “Lidhja jonë duhet të jetë më e fuqishme sesa sinjalet bllokuese”.

Shërbimet ruse të inteligjencës kanë zhvendosur ekipet e tyre kibernetike afër vijës së frontit, ka thënë Vitiuk.
Kjo është bërë për ta përshpejtuar komunikimin me ushtrinë dhe qasjen më të shpejtë në pajisjet e kapura ukrainase ose komunikimet e afërta. Pajisja e kapur mund të përdoret për të mbledhur më shumë inteligjencë taktike para se ukrainasit ta marrin vesh se dronët janë në duart e rusëve.
Konflikti kibernetik ishte i lidhur ngushtë me operacionet ushtarake para se të niste pushtimi i plotë në shkurtin e vitit 2022. Një muaj më herët Rusia kishte tentuar të shkaktonte panik duke bllokuar të gjitha faqet e internetit në Ukrainë.
“Ky pa dyshim ishte operacion psikologjik”, ka thënë Vitiuk. Ukraina ka arritur të kthejë në funksion shumicën e sistemeve, por disa orë para pushtimit nisi vala e re e sulmeve kibernetike. Më e efektshmja ishte ajo e shkëputjes së linjës satelitore të SHBA-së që përdorej nga forcat ukrainase.
Kontrolli i informacionit
Teksa planet e Rusisë për fitore të shpejtë po prisheshin dhe nisi të raportohej për masakrat nëpër qytetet përreth Kievit, rëndësia e kontrollit të rrjedhës së informacionit ishte rritur. Kjo ishte shpërfaqur më 1 mars 2022 pas sulmit kibernetik dhe bombardimit të kullës televizive në Kiev.
“Ata po bënin përpjekje që t’ua ndalonin ukrainasve qasjen në informacionin e vërtetë”, ka thënë Yurii Shchyhol, shef i shërbimit shtetëror që mbron komunikimet. Inxhinierët kërkuan në krejt qytetin për pjesë zëvendësuese dhe brenda pak orësh, u rikthye transmetimi televiziv.
Raketat qëlluan edhe qendrën e të dhënave në të njëjtin lokacion – mirëpo të dhënat më të rëndësishme po ruheshin në serverë të tjerë me ndihmën e kompanive perëndimore të teknologjisë.
“Fakti se Ukraina ia ka dalë t’i bëjë ballë kësaj lufte është arritje e madhe si për specialistët tanë që krijuan sistemin ashtu edhe falë ndihmës nga partnerët tanë”, ka thënë Shchyhol.

Punëtorët ukrainas të teknologjisë gjithashtu kanë ndihmuar në luftë. Në një zyrë të vogël në Kiev, vullnetarë të rinj shpjegojnë se si krijuan sistemin e quajtur Griselda që fshin të dhënat nga mediat sociale dhe burime të tjera për të ofruar inteligjencë të përditësuar të situatës. Kjo ndihmon ushtrinë dhe qeverinë t'u përgjigjen pyetjeve për gjithçka, nga vendi ku mund të vendosen minat deri tek ajo që infrastruktura duhet të riparohet.
Raketat që goditën kullën televizive dhe qendrën e të dhënave u shoqëruan gjithashtu me sulme kibernetike. Dhe që atëherë sulmet kibernetike dhe raketore janë përdorur shpesh së bashku.
Sulmi kibernetik mbetet i pamëshirshëm, ka thënë Victor Zhora, i cili mbikëqyr mbrojtjen kibernetike të vendit, ndërsa bën turne në objektin e reagimit ndaj incidenteve, i cili funksionon 24 orë në javë. “Këtu rreh zemra e mbrojtjes kibernetike të Ukrainës”, ka thënë ai. “Këtu gjithmonë ka punë”.
Një ekran në mur tregon sukseset dhe dështimet. Qeveria është objektivi kryesor. Ndërsa BBC-ja është në zyrën teknologjike, punonjësit e rinj po përballen me një sulm ndaj Zyrës Kombëtare të Statistikave që vonon nxjerrjen e shifrave të inflacionit.
Në Shërbimin e Sigurisë, ekipi kibernetik i Illia Vitiuk punon për të kundërshtuar hakerët elitë nga shërbimet e spiunazhit të Rusisë duke i detyruar hakerët e tij të depërtojnë në sistemet e tyre kompjuterike dhe të përgjojnë telefonatat e tyre.
“Unë gjithmonë them se Ukraina e ka hedhur poshtë mitin për hakerët e fuqishëm rusë”, ka thënë ai, duke e krahasuar luftën me dy luftëtarë që e njohin mirë njëri-tjetrin, duke e nxjerrë njëri-tjetrin jashtë rrjetit. Nuk ka qenë e lehtë, shton ai, dhe ka pasur shpesh rreziqe.
Por Ukraina, ka argumentuar ai, po i shuan sulmet kibernetike ruse duke i përdorur ato përmes sistemit të saj.
Moska po hedh pothuajse të gjithë ekspertizën e saj kibernetike kundër Ukrainës dhe kjo i lë asaj pak kapacitet për të sulmuar objektivat perëndimore.
Nëse Ukraina bie, paralajmëron Vitiuk, atëherë ato sulme do të drejtohen diku tjetër.
Por në luftimin e kundërshtarit rus, Ukraina dhe aleatët e tjerë po mësojnë gjithashtu mënyra të reja në të cilat teknologjia mund të integrohet në fushën moderne të betejës.