Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mbërritur të mërkurën në Francë, për të marrë pjesë në shënimin e 80-vjetorit të Ditës D këtë javë.
Prezenca e Bidenit në Paris vjen ndërsa ai përpiqet të demonstrojë mbështetje të qëndrueshme për sigurinë evropiane, në një kohë kur disa aleatë kanë frikë se Donald Trumpi kërcënon të ndryshojë angazhimet amerikane, nëse ai fiton një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë.
Po ashtu, vizita po bëhet në kohën kur luftimet më të rënda që nga Lufta e Dytë Botërore po vazhdojnë në Ukrainë dhe shtetet aleate perëndimore përpiqen të gjejnë mënyra për të kthyer luftën në disfavor të Rusisë, cila javëve të fundit ka shënuar përparime në fushën e betejës, raporton AP.
Bideni të enjten do të vizitojë tokën e shenjtë pranë plazheve të Normandisë, ku rreshtat e gurëve si kocka shënojnë varret e ushtarëve amerikanë që vdiqën për t'i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore. Ai do të flasë gjithashtu të premten në Pointe du Hoc, një vend në bregun francez ku Rangers të Ushtrisë u ngjitën në shkëmbinjtë bregdetar për të kapërcyer mbrojtjen naziste.
Dita D shënonte nisjes e operacioneve të aleatëve për ta çliruar Evropën Perëndimore, për ta shuar Gjermaninë naziste dhe për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë ditë zbarkuan 156,000 trupa aleate nga deti dhe ajri në pesë pika plazhi në Normandi të Francës.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të presë presidentin amerikan Joe Biden, mbretin britanik Charles dhe kryeministrin kanadez, Justin Trudeau në brigjet e Normandisë, duke përfaqësuar tre vendet kryesore të përfshira në zbarkimet më 6 qershor 1944, raporton Agence France-Presse (AFP).
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy dhe rreth 200 veteranë të mbijetuar të luftës pritet të marrin pjesë gjithashtu.
Asnjë zyrtar rus që përfaqëson qeverinë e Vladimir Putinit nuk është ftuar nga Pallati Élysée për shkak të luftës së Kremlinit kundër Ukrainës, që ka hyrë tashmë në vitin e tretë. Përfaqësuesit e opozitës anti-Kremlin dhe shoqërisë civile gjithashtu nuk do të jenë të pranishëm.
AFP raporton se ndërsa disa disidentë rusë ranë dakord që zyrtarët e Moskës nuk duhet të ishin të pranishëm, ata thanë se rusët nuk duhet të përjashtohen krejtësisht nga festimet jashtëzakonisht simbolike.
"Nuk është në rregull që përfaqësuesit e Rusisë, e cila sakrifikoi miliona në këtë luftë, nuk do të jenë atje”, i ka thënë AFP-së aktivisti i të drejtave të veteranëve Lev Ponomarev, një bashkëthemelues i grupit Memorial fitues të çmimit Nobel për paqen.
"Unë besoj se opozita mund dhe duhet të kishte qenë atje”, ka thënë 82-vjeçari Ponomarev, i cili jeton në Francë pasi u largua nga kërcënimet e arrestimit në Rusi.