Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bisedë e tensionuar Trump-Netanyahu për Libanin: Si i bërtiti presidenti amerikan kryeministrit izraelit

Donlald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, është konfrontuar me zemërim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me kërcënimet e Izraelit për të rifilluar sulmet ajrore ndaj periferive jugore të Bejrutit, sipas një raporti mediatik.

“Çfarë dreqin po bën?”, raportohet të ketë bërtitur presidenti amerikan ndaj kryeministrit izraelit gjatë një bisede telefonike të hënën, sipas Axios, një faqe amerikane që shpesh publikon raportime mbi bisedat e nivelit të lartë mes dy liderëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Raporti, i cili është kundërshtuar nga disa media izraelite, citon një zyrtar amerikan që përmblodhi komentet e Trumpit ndaj Netanyahut.

“Ti je i çmendur. Do të ishe në burg po të mos isha unë. Unë po të shpëtoj. Tani të gjithë të urrejnë. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj”, raporton Axios të ketë deklaruar Trumpi gjatë bisedës.

Telefonata ka ndodhur pasi Netanyahu kishte urdhëruar ushtrinë izraelite të rifillonte bombardimet në zonën Dahiya, në jug të Bejrutit, për të goditur Hezbollahun, milicinë e mbështetur nga Irani që ka kryer sulme me dronë ndaj Izraelit.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) u bënë thirrje civilëve libanezë të evakuonin zonat e jugut të Bejrutit, duke shkaktuar largimin e mijëra banorëve.

Irani ka njoftuar të hënën se do të pezullonte bisedimet e paqes me SHBA-në për shkak të fushatës së vazhdueshme ushtarake izraelite në jug të Libanit. Teherani këmbëngul se Libani duhet të përfshihet në marrëveshjen e armëpushimit, e cila synon të lehtësojë negociatat për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.

Telefonata mes Trumpit dhe Netanyahut erdhi menjëherë pas këtij njoftimi, i cili në praktikë do të ngrinte negociatat vetëm pak ditë pasi Trumpi kishte deklaruar se negociatorët kishin arritur një marrëveshje paraprake, të cilën ai po shqyrtonte nëse do ta miratonte.

Channel 12, një rrjet i njohur dhe i pavarur lajmesh në Izrael, ka kundërshtuar detajet e raportit. Amit Segal, analisti kryesor politik i rrjetit, ka thënë se Trumpi nuk e kishte sulmuar personalisht

Netanyahun dhe se të dy kishin arritur një marrëveshje sipas së cilës Izraeli do të përmbahej nga sulmet ndaj periferive të Bejrutit nëse Hezbollahu ndalonte sulmet ndaj Izraelit.

Trumpi dhe Netanyahu kanë pasur marrëdhënie të tensionuara edhe më parë, megjithëse Izraeli ka mbetur aleati kryesor i SHBA-së në rajon. Dy liderët bashkëpunuan në nisjen e sulmeve kundër Iranit në shkurt, me nxitjen e Netanyahut.

Vitin e kaluar, Trumpi ka shprehur publikisht zemërimin e tij duke thënë se Irani dhe Izraeli “nuk dinë çfarë dreqin po bëjnë”, gjatë një përshkallëzimi 12-ditor që përfshinte sulme ajrore, raketa dhe dronë.

Gjithashtu, pasi Netanyahu përgëzoi Joe Bidenin për fitoren në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat Trumpi i kundërshtonte, Trumpi kishte thënë për Netanyahun: “Mallkuar qoftë ai.”

Trumpi po përballet me presione nga krahë të ndryshëm brenda Partisë Republikane. Disa aleatë pro-Izraelit kërkojnë që SHBA-ja të përshkallëzojë më tej përballjen me Iranin, ndërsa të tjerë kërkojnë një përfundim të shpejtë të luftës për të zbutur dëmet ekonomike përpara zgjedhjeve afatmesme amerikane në nëntor.

Edhe Netanyahu përballet me presione politike në vendin e tij. Parlamenti izraelit mbështeti këtë javë në lexim të parë një projektligj për shpërndarjen e Knessetit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, gjyqi i tij për korrupsion pritet të vazhdojë pas disa shtyrjeve të përsëritura, të justifikuara me situatën e sigurisë në Izrael.