Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur në Abu Dhabi bisedimet trilaterale dyditëshe, të parat që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të 2022-tës. Por kërkesat maksimaliste të Kremlinit për territorin e Ukrainës po e vështirësojnë epilogun. Është e paqartë nëse presidenti amerikan, Donald Trump, do t’ia dalë të ndërmjetësojë një armëpushim edhe nëse vendos presion te Kievi.
Siç kanë konfirmuar përfaqësues të të dyja palëve para ditës së parë të bisedimeve, negociatorët ukrainas dhe ata rusë e kanë në trajtim çështjen kryesore të territoreve.
Para nisjes së diskutimeve nuk janë dhënë sinjale se mund të ketë zbutje në qëndrimet e betonuara të palëve, në atë që i vështirëson përpjekjet për t’i dhënë fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë. E pas përfundimit të ditës së parë të bisedimeve, presidenca ukrainase nuk ka dhënë asnjë detaj. Kryenegociatori i Ukrainës, Rustem Umerov, pas përfundimit të takimit në një postim në “X” ka thënë se bisedimet ishin të përqendruara në “faktorët që do të shpien në përfundimin e luftës së nisur nga Rusia si dhe logjikën e mëtejshme të procesit të negociatave që synon avancimin drejt një paqeje dinjitoze dhe të qëndrueshme”. “Takime të tjera janë planifikuar për nesër”, ka shkruar ai të premten vonë.
Teksa Ukraina përballet me presion të shtuar nga Shtetet e Bashkuara për arritjen e marrëveshjes së paqes, presidenti Volodymyr Zelensky para diskutimeve ka konfirmuar se ujdia për territore është prioritet i bisedimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Çështja e Donbasit është kyç. Do të diskutohet se si të tria palët e shohin këtë çështje këtu në Abu Dhabi, sot dhe nesër”, ka deklaruar Zelensky. Ai ka thënë se delegacioni ukrainas “e di se çfarë duhet të bëjë”.
Kërkesë e presidentit rus, Vladimir Putin, është që Ukraina të dorëzojë 20 për qind të territorit që ende e kontrollon në Donetsk. Kontrolli mbi këtë pjesë ka qenë prej kohësh pengesë kryesore për arritjen e një marrëveshjeje, pasi Putini ka refuzuar të heqë dorë prej saj, ani se forcat ruse nuk kanë arritur ta pushtojnë as pas katër vjetësh luftë. Rusia e ka dërguar në Abu Dhabi një delegacion të udhëhequr nga shefi i inteligjencës ushtarake, Igor Kostyukov, që sugjeron se më shumë do të ketë diskutime ushtarake sesa negocime politike.
Pikërisht kjo çështje, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, është kusht shumë i rëndësishëm për përparim në bisedime.
“Qëndrimi i Rusisë dihet. Ukraina dhe forcat e saj të armatosura duhet të largohen nga territori i Donbasit. Ato duhet të tërhiqen prej andej”, ka theksuar Peskov.
Donetsku është një prej katër rajoneve ukrainase që Rusia i ka aneksuar në vitin 2022, pas referendumeve të mbajtura e të cilat Kievi zyrtar dhe vendet kryesore perëndimore i kanë kualifikuar si të jashtëligjshme.
Pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar e njeh Donetskun si pjesë të Ukrainës, ndryshe prej Rusisë së Putinit që këtë territor e konsideron si “historikisht rus”.
Bisedimet në Abu Dhabi konsiderohen niveli më i lartë trilateral i zhvilluar që prej nisjes së luftës. Diskutimet mbahen në kohën kur kërkesat e Trumpit për marrjen e kontrollit mbi Grenlandë kanë shtuar tensionet mes aleatëve perëndimorë të Ukrainës.
Bisedimet zhvillohen pas takimit të shtatë të emisarit special të Trumpit, Steve Witkoff dhe Vladimir Putinit në Moskë, ku temat e diskutimit ishin pikërisht kërkesat për territorin dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën, për të cilat Zelensky ka thënë se është dakorduar me Trumpin gjatë kësaj jave në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Administrata Trump ka shtyrë përpara vazhdimisht një marrëveshje potenciale për paqe. Trumpi të mërkurën ka thënë se Putini e Zelensky do të ishin “budallenj” nëse dështojnë të arrijnë një marrëveshje. Të enjten në Davos, Witkoff ka thënë se një çështje kyç ka mbetur për t’u zgjidhur, duke mos dhënë detaje.
Përfundon dita e parë e bisedimeve trepalëshe Ukrainë-Rusi-SHBA në Abu Dhabi
Dita e parë e bisedimeve në Abu Dhabi ka përfunduar, ka njoftuar presidenca ukrainase, përpara diskutimeve të mëtejshme të planifikuara për të shtunën.
“Negociatat kanë mbaruar për sot”, ka thënë presidenca ukrainase në një mesazh për gazetarët.
Kryenegociatori i Ukrainës, Rustem Umerov, pas përfundimit të takimit në një postim në X ka thënë se bisedimet ishin të përqendruara në faktorët që do të shpien në përfundimin e luftës së nisur nga Rusia si dhe logjikën e mëtejshme të procesit të negociatave që synon avancimin drejt një paqeje dinjitoze dhe të qëndrueshme.
“Takime të tjera janë planifikuar për nesër”, ka shtuar ai.
Diskutimet ishin paralajmëruar ta kenë në qendër çështjen e territoreve, sipas kërkesave ruse.
Nisin bisedimet Ukrainë – Rusi - SHBA
Bisedimet midis Ukrainës, Rusis dhe Shteteve të Bashkuara kanë filluar në Abu Dhabi, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Bisedimet kanë filluar sot dhe janë planifikuar të vazhdojnë gjatë dy ditëve të ardhshme.
Sipas një deklarate për shtyp, Emiratet e Bashkuara Arabe shpresojnë që këto diskutime “do të kontribuojnë në hapa të prekshëm drejt përfundimit të një krize që ka vazhduar për gati katër vjet dhe ka rezultuar në vuajtje të mëdha humanitare”.
Delegacioni rus do të kryesohet nga gjenerali Igor Kostyukov, drejtor i agjencisë së inteligjencës ushtarake GRU të Rusisë. Ekipi ukrainas do të kryesohet nga sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare dhe ish-ministri i mbrojtjes, Rustem Umerov.
Kremlini përsërit kërkesën që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi për përparim në bisedime
Kremlini zyrtar ka përsëritur kërkesën që Ukraina të tërheqë forcat e saj nga rajoni lindor i Donbasit për t’i dhënë fund luftës.
Kjo tregon se Rusia nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj maksimale, përpara bisedimeve trepalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën në Abu Dhabi, raportoi AFP.
“Qëndrimi i Rusisë dihet. Ukraina dhe forcat e saj të armatosura duhet të largohen nga territori i Donbasit. Ato duhet të tërhiqen prej andej”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai shtoi se ky është “një kusht shumë i rëndësishëm” për përparimin e bisedimeve të paqes.
Zelensky: Territori do të jetë temë kryesore në bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të premten se çështja kyçe e territorit do të diskutohet në bisedimet trepalëshe të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, që do të zhvillohen në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, të premten dhe të shtunën.
Ukraina po përballet me presion në rritje nga SHBA-ja për të arritur një marrëveshje paqeje në luftën gati katërvjeçare me Rusinë. Moska zyrtare ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga i gjithë rajoni lindor i Donbasit, raporton Reuters.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në një bisedë me mediat në WhatsApp, një ditë pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump, të cilin të dy e përshkruan si pozitiv, Zelensky tha se çështja e territorit do të jetë prioritet kryesor në këto bisedime.
“Çështja e Donbasit është thelbësore. Do të diskutohet se si të tri palët e shohin këtë çështje në Abu Dhabi sot dhe nesër”, u shpreh ai.
Kërkesa e presidentit rus Vladimir Putinit që Ukraina të dorëzojë 20% të territorit që ende kontrollon në rajonin lindor të Donetskut ka qenë një pengesë kryesore.
Zelensky ka refuzuar të dorëzojë toka që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë gjatë katër vjetëve të luftës së ashpër.
Presidenti ukrainas shtoi se marrëveshja për garancitë e sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën është gati dhe se ai po pret vetëm që Trump të caktojë datën dhe vendin për nënshkrim.
Ukraina ka kërkuar garanci të forta sigurie nga aleatët, në rast të një marrëveshjeje paqeje, për të parandaluar një pushtim të ri nga Rusia, e cila sipas Kievit ka treguar pak interes për t’i dhënë fund luftës deri tash.
Kur u pyet për përdorimin e parave ruse që janë ngrirë nga Perëndimi, Zelensky e quajti “të pakuptimtë” idenë që këto para të përdoren për rindërtimin e territoreve ruse.
Më herët, Rusia kishte propozuar që këto fonde të përdoren për rindërtimin e zonave të Ukrainës që aktualisht janë nën pushtimin rus.
Zelensky e kundërshtoi këtë propozim dhe tha se këto para duhet të përdoren vetëm për Ukrainën, për të rindërtuar dëmet e shkaktuara nga lufta.
Ai shtoi se Ukraina do të luftojë për ta siguruar përdorimin e të gjitha aseteve të ngrira ruse dhe se kjo është plotësisht e drejtë.