Botë

Bjellorusia thotë se mund t’i furnizojë me energji zonat e Ukrainës që i kontrollon Rusia

Alexander Lukashenko

Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko ka theksuar se Bjellorusia ka propozuar ndërtimin e një centrali bërthamor në lindje të vendit, që do të mund të furnizonte me energji elektrike zonat e Ukrainës që kontrollohen nga Rusia.

Ai e paraqiti këtë ide gjatë një takimi me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin, në Moskë, raporton Reuters.

“Nëse merret një vendim, ne do të fillojmë menjëherë ndërtimin e një njësie të re energjetike ose të një centrali të ri, nëse ka nevojë për energji në pjesën perëndimore të Rusisë dhe në rajonet e çliruara”, tha Lukashenko.

Ky propozim thekson edhe një herë marrëdhënien e ngushtë mes Putinit dhe Lukashenkos, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet ta afrojë Bjellorusinë drejt Perëndimit, duke ofruar stimuj në këmbim të lirimit të të burgosurve politikë dhe përmirësimit të marrëdhënieve me SHBA-në.

“Financimi nuk është fare problem. Nëse ka një konsumator që përdor energjinë dhe paguan tarifën e duhur, atëherë nuk ka asnjë pengesë”, u përgjigj Putini.

Bjellorusia është  aleate e afërt e Rusisë dhe ka mbështetur luftën e saj në Ukrainë, përfshirë edhe lejen që i ka dhënë ushtrisë ruse për të hyrë në Ukrainë përmes territorit bjellorus që në vitin 2022.

Putin takohet me Lukashenkon më shpesh se me çdo lider tjetër të huaj.