Botë

Bota nuk është gati për një tjetër pandemi

Të sigurohesh që spitalet në Mbretërinë e Bashkuar të jenë më të përgatitura për një pandemi të ardhshme është ide e mirë, por mund të jetë e vështirë për t’u zbatuar, ka shpjeguar Paul Elkington, profesor i mjekësisë në Universitetin e Southamptonit.

Qeveritë dhe organet e kujdesit shëndetësor në mbarë botën nuk kanë marrë mësim nga Covid-19 dhe nuk janë gati për një tjetër pandemi, sipas shefit të firmës private të kujdesit shëndetësor, Bupa.

“Ne mund të përballemi me një pandemi tjetër së shpejti”, ka bërë të ditur Iñaki Ereño.

Spitalet duhet të jenë gati për t’i trajtuar veçmas personat e infektuar dhe jo të infektuar, ka thënë Ereño për BBC-në.

Në Mbretërinë e Bashkuar, numri i paprecedentë i shtrimeve në spital të shkaktuar nga Covid-19 e vendosi NHS-në nën një tendosje të rëndë.

“Pyetja kryesore është: a kemi mësuar ne të gjithë, në mbarë botën, shumë, kështu që herën tjetër të jemi gati? Besimi im është se nuk është kështu”, ka theksuar Ereño.

Vendet duhet të konsiderojnë se si të minimizojnë ndërprerjen e kujdesit shëndetësor rutinë në çdo pandemi të ardhshme, beson ai.

“Kjo është diçka që nuk mund të ndodhë më. Ne nuk mund ta ndalojmë ofrimin normal të kujdesit shëndetësor për njerëzit që kanë nevojë për ne”, ka sqaruar Ereño, duke treguar për gratë shtatzëna dhe pacientët me kancer.

“Planifikimi nuk ishte i mirë, ne nuk mund të zbrazim spitalet dhe klinikat vetëm për një sëmundje si Covidi dhe të lejojmë njerëzit që po kalonin episode shumë të rënda të qëndrojnë në shtëpi”.

Pandemia e pashmangshme

Bupa ofron sigurim privat të kujdesit shëndetësor për 24 milionë klientë në mbarë botën. Ajo ka 82.000 punonjës dhe kishte një qarkullim prej 14 miliardë funtesh vitin e kaluar.

Ajo gjithashtu drejton klinikat dhe spitalet e veta, siç është Spitali Cromwell në Londër.

Në disa vende si Spanja, spitalet e saj u përdorën për trajtimin e pacientëve me Covid. Më shumë se gjysma e spitaleve spanjolle drejtohen privatisht.

Ereño beson se spitalet duhet të jenë gati për t'u veçuar, ose përndryshe, spitale të veçanta mund të caktohen vetëm për trajtimin e njerëzve të infektuar në një pandemi të ardhshme.

Të sigurohesh që spitalet në Mbretërinë e Bashkuar të jenë më të përgatitura për një pandemi të ardhshme është ide e mirë, por mund të jetë e vështirë për t’u zbatuar, ka shpjeguar Paul Elkington, profesor i mjekësisë në Universitetin e Southampton.

“Një tjetër pandemi është e pashmangshme”, ka thënë ai, “por që nga Covid-19, NHS-ja është goditur nga një sërë sfidash duke përfshirë stafin që reduktohet në të gjithë sektorin, lufta e Ukrainës duke krijuar ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe kosto të larta të energjisë. Me gjithë këto probleme të dita-ditës është shumë e vështirë për menaxherët e NHS-së të përqendrohen në pandeminë e ardhshme”.

Ai thotë se do të nevojiteshin investime për t’i modifikuar ndërtesat për të pasur gjëra të tilla si “hyrje të pastra” për njerëzit joinfektivë.

Teksa ofruesit privatë të kujdesit shëndetësor ndërhynë gjatë pandemisë për të ndihmuar në pastrimin e listave të pritjes së kujdesit jourgjent, kjo nuk është përfundimisht e qëndrueshme, ka shpjeguar Prof Elkington.

Përgatitjet e mundshme

Ereño ka pyetur gjithashtu nëse vendet kishin pajisje të mjaftueshme mbrojtëse personale (PPE) në magazinë.

“A i kemi gati të gjitha pajisjet mbrojtëse që na duhen në çdo vend vetëm në rast se ka një tjetër pandemi? Supozimi im është se jo në çdo vend. Nuk po ndodh ashtu siç duhet.

“Mirëpo ne kemi pajisjet mbrojtëse që na duhen për njerëzit tanë në Bupa”.

Shoqata Mjekësore Britanike (BMA) ka publikuar një raport vitin e kaluar që ishte kritik për përgatitjen e PPE-së në NHS para pandemisë.

Prof David Strain, kryetar i bordit shkencor të BMA-së, është shprehur se duhet mësuar më shumë.

“Vetëm rezervat e mëdha nuk janë të mjaftueshme: PPE-të që kemi duhet të jenë të përshtatshme për përdorim. Fuqia punëtore mjekësore është e larmishme, që do të thotë se ne kemi nevojë për PPE për forma të ndryshme të fytyrës dhe trupit, teksturave të ndryshme të flokëve, mbulesave të kokës dhe qimeve të fytyrës. Kjo ishte një dështim në fillim të pandemisë dhe ende nuk është adresuar për ata staf të NHS-së që merren me Covid sot”.

Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social ka thënë: “Ne jemi të përkushtuar të nxjerrim mësime nga pandemia dhe tashmë kemi përfunduar një rishikim të masave të gatishmërisë emergjente, që përfshin PPE-të, që duhet të jenë të disponueshme në rast të një pandemie të ardhshme.

“Kjo tashmë po bën një ndryshim, duke ndihmuar për të siguruar që spitalet tona të ardhshme mund të përshtaten me ndryshimin e nevojave shëndetësore si pjesë e programit tonë spitalor të ri”.

Një hetim i pavarur publik për pandeminë Covid-19 u ngrit në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar, i kryesuar nga Baroness Heather Hallett. Raporti i tij do të përfshijë këshilla se çfarë mësimesh mund të nxirren.

Përktheu: Blerta Haxhiu