Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britania mbledh sot 35 vende për të gjetur një zgjidhje për Ngushticën e Hormuzit

Ngushtica e Hormuzit

Mbretëria e Bashkuar do të mbledhë të enjten 35 vende, me përjashtim të SHBA-së, për të shqyrtuar mënyrat për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, rrugën jetike detare për naftë dhe gaz që është bllokuar nga Irani.

Kryeministri Keir Starmer ka thënë se faza e ardhshme e diskutimeve në përpjekjet e përbashkëta britanike dhe franceze për të siguruar këtë rrugë ujore do të zhvillohet të enjten.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do t’u takojë vendeve të tjera ta bëjnë të sigurt ngushticën nëse SHBA-ja ndalon sulmet ndaj Tehranit, duke kritikuar mungesën e mbështetjes për luftën e tij nga vendet evropiane.

Starmer ka thënë të mërkurën se takimi do të bashkojë 35 vende për të “vlerësuar të gjitha masat diplomatike dhe politike të mundshme që mund të ndërmarrim për të rikthyer lirinë e lundrimit, për të garantuar sigurinë e anijeve dhe marinarëve të bllokuar dhe për të rifilluar lëvizjen e mallrave jetike”.

Qeveria britanike ka thënë se kjo do të jetë hera e parë që këto vende mblidhen për të diskutuar një plan të realizueshëm për rihapjen e ngushticës. 

Kryeministri ka thënë ndërkaq se planifikuesit ushtarakë britanikë do të takohen më pas “për të parë se si mund të mobilizojmë kapacitetet tona dhe ta bëjmë ngushticën të qasshme dhe të sigurt pasi të ketë përfunduar lufta”.

Takimi do të mbledhë vendet që nënshkruan një deklaratë të përbashkët muajin e kaluar. Disa të tjera janë bashkuar që atëherë. Ato përfshijnë: Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Holandën si dhe Australinë, Japoninë, Kanadanë, Korenë e Jugut, Zelandën e Re, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Nigerinë. 

Rreth 1,000 anije janë bllokuar si pasojë e mbylljes nga Iranit të ngushticës, si përgjigje ndaj sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli. 

Para konfliktit, cisternat transportonin rreth një të pestën e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz përmes këtij kanali, si dhe rreth një të tretën e plehrave kimike globale të nevojshme për gjysmën e prodhimit ushqimor në botë. 

Vetëm rreth 130 anije kanë kaluar që nga fillimi i luftës, një numër që normalisht do të kalonte çdo ditë.