Kreu i CIA-s, John Ratcliffe ka thënë se sulmet amerikane "dëmtuan rëndë" objektet bërthamore të Iranit dhe i kthyen ato vite prapa, duke devijuar kështu nga një raport i rrjedhur i inteligjencës që zemëroi presidentin Donald Trump e që minimizonte ndikimin e sulmit. 

Ratcliffe, drejtori i agjencisë amerikane të spiunazhit, ka thënë se vendet kryesore ishin shkatërruar, megjithëse nuk ka deklaruar nëse programi bërthamor i Iranit ishte eliminuar plotësisht, raporton BBC.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi një vlerësim paraprak i rrjedhur nga një agjenci e inteligjencës së Pentagonit sugjeroi se komponentët kryesorë të programit bërthamor të Iranit mbetën të paprekur pas bombardimeve të SHBA-së.

Mirëpo presidenti Trump e ka hedhur poshtë vlerësimin duke thënë se sulmet kanë "zhdukur" objektet bërthamore të Iranit.

Presidenti republikan ka thënë se sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë do të mbajnë një konferencë shtypi "interesante dhe të pakundërshtueshme" të enjten në Pentagon "për të luftuar për “dinjitetin e pilotëve tanë të mëdhenj amerikanë".

Deklarata e Ratcliffe ka ardhur teksa Izraeli dhe Irani ishin në ditën e dytë të armëpushimit i cili ndonëse i brishtë po vazhdon të mbahet.  

Ratcliffe, i cili është emëruar nga Trumpi, ka thënë se informacioni i CIA-s përfshinte "inteligjencë të re nga një burim/metodë historikisht e besueshme dhe e saktë se disa objekte kryesore bërthamore iraniane u shkatërruan dhe do të duhej të rindërtoheshin gjatë viteve".

Caine: Sulmet ndaj Iranit janë kulminacion i 15 vjetëve planifikim

5 o. më parë / 26 qer 2025 14:55
Dan Caine

Photo: Associated Press

Kreu i shtatmadhorisë së SHBA-së, Dan Caine, ka deklaruar se operacioni i kryer mbi Iran ishte “kulminacion” i 15 vjetëve planifikim.

Në një konferencë të përbashkët për media me shefin e Pentagonit, Pete Hegseth, Caine ka thënë se armët e përdorura në sulme ishin "të projektuara, të planifikuara dhe të dorëzuara" për të arritur sukses në sulmin ndaj centralit bërthamor Fordoë.

“Ato goditën dy boshte ventilimi në vend të cilat iranianët janë përpjekur t'i mbulonin me beton për të parandaluar një sulm”, ka thënë Caine. 

Në sulmin e parë, mbulesa është hequr duke zbuluar boshtet, ka shtuar ai, dhe më pas armët kanë goditur.

Caine ka thënë se, në total, janë hedhur gjashtë bomba në vend. 

Ai më pas ka treguar një video të njërës prej bombave në veprim.

Hegseth: Sulmet e SHBA-së ndaj Iranit ishin një sukses i jashtëzakonshëm

5 o. më parë / 26 qer 2025 14:17
Pete Hegseth

Photo: Associated Press

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë të enjten në një konferencë shtypi lidhur me sulmet e SHBA-së në Iran, se ato ishin “një sukses i jashtëzakonshëm”. 

Shefi i Pentagonit ka shtuar se kjo “dukej e pamundur” pesë vjet më parë.

“Por ja ku jemi për shkak të lidershipit të Trumpit”, ka deklaruar Hegseth. 

Hegseth ka shtuar se Trumpi ka drejtuar "operacionin ushtarak më kompleks dhe sekret në histori".

Ai po ashtu ka vlerësuar “ndryshimin e lojës” me arritjet në samitin e NATO-s që është mbajtur të mërkurën në Hagë, ku liderët e vendeve anëtare kanë rënë dakord për 5% investime nga Bruto Produkti i Brendshëm, për mbrojtjen.

Hegseth i ka bërë deklaratat vetëm pak pas një fjalimi të liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili ka thënë se SHBA-ja ka dështuar të arrijë atë që donte me sulmet mbi Iranin rreth një javë më parë.

SHBA-ja ka dështuar me sulmet mbi Iranin, thotë Khamenei

7 o. më parë / 26 qer 2025 12:55
Avionet B-2

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë në fjalimin e tij të parë që nga arritja e armëpushimit Izrael-Iran se SHBA-ja ka “dështuar të arrijë ndonjë gjë domethënëse" duke sulmuar objektet bërthamore të Iranit.

Ai ka thënë se presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka bërë një përshkrim "jashtëzakonisht të ekzagjeruar" të asaj që ka ndodhur.

“Ishte e qartë se ai duhej ta bënte këtë”, ka thënë Khamenei, duke shtuar se kushdo që dëgjonte mund të kuptonte se SHBA-ja po i ekzagjeronin gjërat për të shtrembëruar të vërtetën.

“Ne sulmuam një nga bazat kryesore të SHBA-së në rajon, dhe ata u përpoqën ta minimizonin këtë”, ka thënë Khamenei. 

Sipas tij, populli iranian demonstroi unitetin e tij teksa ka hedhur poshtë pretendimet e Trumpit i cili bënte thirrje për dorëzim. 

"Për një vend dhe komb të madh si Irani, vetëm përmendja e dorëzimit është një fyerje", ka shtuar Khamenei.

Khamenei: Irani i dha shuplakë të fortë Amerikës

7 o. më parë / 26 qer 2025 12:36
Khamenei Trump

Lideri suprem i Iranit, Aytollah Ali Khamenei, ka vazhduar me postime në X, duke goditur këtë radhë SHBA-në, për të cilën ka thënë se i ka dhënë një shuplakë të fortë. 

“Irani ishte në gjendje të dilte fitimtar dhe i dha një shuplakë të fortë Amerikës", ka shkruar Khamenei, raporton BBC.

Sipas tij, Irani ka fituar edhe ndaj, siç e ka quajtur, regjimit amerikan.

Khamenei ka shtuar se SHBA-ja ka hyrë në luftë të drejtpërdrejtë sepse “mendonte se nëse nuk do ta bënte këtë, regjimi sionist do të shkatërrohej plotësisht".

Khamenei shpall fitoren ndaj Izraelit në fjalimin e parë që nga armëpushimi

7 o. më parë / 26 qer 2025 12:26
Khamenei

Photo: Associated Press

Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka shpallur fitoren ndaj Izraelit, në luftën prej më pak se dy javësh që dy shtetet kanë zhvilluar.

Duke shkruar në X, pak para publikimit të fjalimit të tij të parë që kur është arritur armëpushimi, Khamenei ka thënë se Irani ka fituar ndaj regjimit sionist. 

"Ju shpreh urimet e mia për fitoren ndaj regjimit të gabuar sionist", ka shkruar ai.

Mesazhi i tij vjen disa orë para se sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, të mbajë një konferencë për shtyp, ku do të japë një përditësim mbi ndikimin e sulmeve amerikane në objektet bërthamore të Iranit gjatë fundjavës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkruar në Truth Social,  se përditësimi "i madh" do të jepet nga Pentagoni në orën 08:00 me kohë lokale.  

"Konferenca për Shtyp do të jetë interesante dhe e pakundërshtueshme", ka thënë Trumpi.

Gjatë një fjalimi në kuadër të samitit të NATO-s të mërkurën në Hagë, Hegseth ishte i bindur se sulmet amerikane kishin zvogëluar ndjeshëm aftësitë bërthamore të Teheranit.

IAEA: Centrifugat në Fordow nuk janë më funksionale pas sulmit të SHBA-së

8 o. më parë / 26 qer 2025 11:12
Rafael Grossi

Photo: Associated Press

Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, ka thënë se centrifugat në Fordoë, një nga impiantet më të rëndësishme të pasurimit bërthamor të Iranit, "nuk janë më funksionale" pas sulmeve amerikane.

"Në bazë të imazheve satelitore, ne mund të nxjerrim përfundime mjaft të sakta mbi pasojat e bombardimeve", ka thënë Grossi për stacionin radiofonik francez Radio France Internationale të enjten.

"Duke pasur parasysh fuqinë e këtyre bombave dhe karakteristikat teknike të centrifugave, ne e dimë se ato nuk janë më funksionale, thjesht vetëm për shkak të dridhjes, e cila shkakton dëme të konsiderueshme fizike", ka thënë Grossi.

"E njoh shumë mirë impiantin, është një rrjet tunelesh me lloje të ndryshme aktiviteti", ka thënë Grossi.

"Ajo që pamë në fotografi korrespondon pak a shumë me sallën e pasurimit, kjo është ajo që është goditur."

Parlamenti i Iranit të mërkurën votoi për të pezulluar bashkëpunimin me IAEA-n, sipas mediave shtetërore.

Në një intervistë televizive të mërkurën, një zëdhënës i ministrisë së jashtme iraniane i ka thënë Al Jazeeras se instalimet bërthamore të vendit janë “dëmtuar rëndë” pas “sulmeve të përsëritura” nga Izraeli dhe SHBA-ja. 

Trumpi paralajmëroi bisedime me Iranin, ministri iranian i Mbrojtjes niset drejt Kinës

9 o. më parë / 26 qer 2025 10:08
Aziz Nasirzadeh

Ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, ka udhëtuar drejt aleatit diplomatik dhe ekonomik, Kinës, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga përplasja 12-ditore me Izraelin, e cila për pak kohë e futi edhe SHBA-në në një konflikt të ri rajonal.

Nasirzadeh është një nga nëntë ministrat e Mbrojtjes që media shtetërore kineze thotë se morën pjesë në një takim të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), një grupim rajonal sigurie i udhëhequr nga Kina dhe Rusia, i cili është bërë më i njohur, ndërsa Pekini dhe Moska kërkojnë të ndërtojnë blloqe ndërkombëtare alternative ndaj atyre të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

Takimi dyditor ka filluar të mërkurën në qytetin bregdetar kinez të Qingdaos, një ditë pasi një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit ka shuar disa ditë sulmesh ajrore midis të dyjave, të ndërprera nga një sulm amerikan ndaj tri objekteve bërthamore iraniane.

Takimi i SCO-së përkoi me një takim të udhëheqësve të NATO-s në Hagë, ku presidenti i SHBA-së Donald Trump bëri të ditur se pala amerikan do të takohej me Iranin "javën tjetër" në lidhje me një marrëveshje të mundshme bërthamore.