Një valë grabitjesh gjatë verës së kaluar rriti alarmin në Francë lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe rurale. Një seri vjedhjesh të organizuara nëpër kisha të veriut francez nxori në pah dobësitë e sigurisë dhe frikën se trashëgimia historike e zonave rurale po mbetet gjithnjë e më e pambrojtur. Këto grabitje nuk prekën vetëm objekte me vlerë fetare dhe artistike, por edhe identitetin e komuniteteve të vogla, për të cilat kisha vazhdon të jetë simboli kryesor i historisë, kujtesës dhe krenarisë lokale.
Banorët e Burellesit e kishin shndërruar kishën e tyre në një lloj fortese disa shekuj më parë, duke e pajisur atë me një mur mbrojtës, një dhomë të sigurt dhe frëngji të ngushta për harkëtarët, me qëllim që të mbroheshin nga trupat plaçkitëse që dikur përshkonin zonën. Megjithatë, të gjitha ato masa mbrojtëse të ngritura ndër shekuj nuk arritën ta ndalonin një çift hajdutësh, të cilët grabitën kishën katolike romake në një moment para orës shtatë të mbrëmjes, një të diel të fundit të korrikut.
Ata shkatërruan kutinë e donacioneve, thyen derën prej druri të sakristisë dhe morën me vete pjatat e kungimit, dy enë të vogla që përdoren gjatë pagëzimeve, si edhe një kornizë të zbukuruar prej bronzi, e njohur si monstrancë, e cila përdoret për të ekspozuar bukën gjatë ceremonive të kungimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPo atë ditë, të njëjtët hajdutë vodhën edhe një kelk nga kisha në Vervins, fshati tjetër përgjatë rrugës në veri të Francës. Ndërsa ditën pasuese ata goditën kishën e një tjetër fshati aty pranë, Marle, ku hapën me forcë tabernakullin dhe vodhën një tjetër kelk të punuar me hollësi artistike.
Këto ishin vetëm tri nga 29 kishat në të gjithë veriun e Francës që, sipas vendimit të një gjykate, u vunë në shënjestër verën e kaluar nga Raphael Hourdeaux, 35 vjeç, dhe, pothuajse në të gjitha rastet përveç njërit, nga partneri i tij romantik, Tony Paupiere, 30 vjeç. Çifti, i cili pranoi pjesën më të madhe të akuzave ndaj tyre, kishte hyrë madje dy herë në të njëjtën kishë, me një diferencë prej pesë javësh.

Mungesa e sigurisë
Kjo seri e pazakontë grabitjesh, e cila zgjati rreth tre muaj, e shtoi edhe më shumë ndjenjën e alarmit në Francë, ku po përhapej bindja se vendi mund të mos ishte më në gjendje të mbrojë trashëgiminë e vet kulturore. Ngjarjet ndodhën në një periudhë kur ishin shfaqur vazhdimisht raste të mungesës së sigurisë në muze, kisha dhe galeri arti -- si në Paris, ashtu edhe në qytete të tjera apo në zonat e largëta rurale.
Grabitja më e guximshme ndodhi tetorin e kaluar, kur një tjetër grup hajdutësh arriti të hynte në Muzeun e Luvrit gjatë ditës dhe të largohej me bizhuteri të kurorës mbretërore, me një vlerë që i kalonte 100 milionë dollarët.
Në raste të tjera gjatë vjeshtës, hajdutët vodhën pjata porcelani me vlerë 11 milionë dollarë nga një muze në Limoges, rajoni i njohur si zemra e prodhimit francez të porcelanit. Ndërkohë, tre burra u shpallën fajtorë për grabitjen e rreth 40 kishave brenda më pak se katër muajsh në jugperëndim të vendit. Po ashtu, hajdutë të tjerë hynë me forcë në një muze të vogël në jug të Francës, duke vjedhur afërsisht 100 kryqe.
Në përgjithësi, këto vjedhje kanë nxitur debate të shumta lidhur me buxhetet e pamjaftueshme dhe infrastrukturën e vjetruar të sigurisë. Grabitjet në kishat e largëta rurale kanë prekur gjithashtu një plagë të vjetër të asaj që francezët e quajnë “Franca e thellë” - zona të vetmuara të fshatrave ku banorët ndihen të harruar nga shoqëria, nga shteti dhe nga koha moderne.
Pothuajse çdo fshat francez është ndërtuar historikisht rreth një kishe. Edhe sot, kisha e fshatit vazhdon të përfaqësojë historinë dhe identitetin e komunitetit, megjithëse numri i njerëzve që ndjekin rregullisht ceremonitë fetare ka rënë ndjeshëm dhe shumë prej këtyre kishave hapen vetëm rrallë.
Kisha e Shën Martinit në Burelles është bërë edhe më e rëndësishme për identitetin e fshatit pasi bujtina e vetme u mbyll dhe kafeneja e fundit pushoi së funksionuari. Banorë vullnetarë kujdesen vazhdimisht për kishën, duke bërë të mundur që ajo të qëndrojë e hapur më gjatë sesa shumica e kishave të tjera në zonë, ndërsa fshati organizon rregullisht edhe koncerte brenda saj.
“Kisha është zemra e fshatit. Është krenaria jonë”, tha Damien Yverneau, kryetari i fshatit. “Nuk na ka mbetur asgjë tjetër përveç saj”.
Më pas ai shtoi: “Të rinjtë largohen për të vazhduar studimet dhe nuk kthehen më”.
Për të penguar vjedhjet nëpër kisha, policia shtoi patrullimet në zonë. Megjithatë, duke qenë se vetëm rajoni përreth Aisne numëron rreth 800 kisha, ekziston një kufi i qartë se sa territor mund të mbulohet dhe të kontrollohet në mënyrë efektive.
Shumica e këtyre kishave hapen shumë rrallë, zakonisht vetëm për funerale ose pagëzime. Meshat e rregullta mbahen zakonisht vetëm disa herë në vit, pasi ndodh shpesh që një prift të mbikëqyrë deri në 50 kisha njëkohësisht.
Kjo do të thotë se në disa raste mund të kenë kaluar ditë të tëra përpara se grabitjet të zbuloheshin, gjë që e bënte shumë të vështirë përcaktimin e kohës së saktë të vjedhjeve dhe identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm, shpjegoi Fanny Anor, prefektja e Aisnes, e cila mbikëqyr policinë lokale.
Pas një të diele veçanërisht të ngarkuar në muajin gusht, kur katër kisha raportuan grabitje brenda së njëjtës ditë, hetimet iu besuan një njësie të specializuar të policisë hetimore.
Duke përdorur lokalizimin gjeografik të telefonave celularë, hetuesit arritën të gjurmonin lëvizjet e Hourdeauxit dhe Paupiereit. Pas kësaj, policia nisi t’i mbante nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Metoda e përdorur nga hajdutët ishte shpesh tronditëse për nga thjeshtësia e saj. Pasi zgjidhnin kishën që synonin të grabisnin, ata zakonisht kontrollonin fillimisht në internet nëse ajo ishte e mbyllur dhe më pas përdornin një levë metalike për të hyrë me forcë, deklaroi prokuroria gjatë gjyqit.

Udhëtime fundjave e grabitje
Sipas prokurorëve, çifti organizonte edhe udhëtime fundjave duke i kombinuar me grabitjet. Në një rast, ata kishin udhëtuar me Peugeotin e tyre të vitit 2008 drejt një qendre spa pranë një kishe që kishin vënë në shënjestër.
Sipas akuzës, dyshja kishte shitur disa prej objekteve të vjedhura tek një tregtar lokal antikitetesh, i cili më vonë u shpall fajtor për posedim dhe tregtim mallrash të vjedhura. Disa objekte të tjera ata i kishin shkrirë dhe i kishin shitur si metal tek një blerës në Paris.
Megjithatë, shumë sende të tjera i kishin mbajtur për vete.
Tetorin e kaluar, rreth 30 policë organizuan një bastisje në shtëpinë e çiftit dhe zbuluan se burrat kishin përdorur disa nga objektet liturgjike të vjedhura si dekorime në banesë, ndërsa sende të tjera i kishin fshehur në dollapë dhe në qese plastike.
Hetuesit u dërguan fotografi të 46 objekteve të rikuperuara kryetarëve të bashkive dhe priftërinjve që kishin raportuar grabitjet nëpër kisha.
Por, për shkak se shumë pak kisha mbanin inventarë të detajuar të pasurisë së tyre, shumica nuk ishin në gjendje të dëshmonin se ishin pronaret e ligjshme të objekteve të gjetura, tha koloneli Stephane Aurousseau, i cili drejtoi hetimin policor.
Ekipi i NYT-it mori pjesë në gjyqin gjysmëditor të dy burrave në muajin dhjetor, i cili u zhvillua në një gjykatë të vendosur brenda një pallati mesjetar në qytetin e afërt të Laon.
Një numër i vogël kryebashkiakësh dhe priftërinjsh kishin ardhur nga zona të ndryshme të rajonit, me shpresën se do të merrnin përgjigje për ngjarjet. Por të akuzuarit nuk u paraqitën në sallën e gjyqit. Paupiere kishte dërguar një raport mjekësor ku thuhej se vuante nga depresioni dhe kishte mendime vetëvrasëse.
“Kjo tregon mungesë të plotë respekti”, tha Yverneau, 56 vjeç, kryetari i bashkisë së Burellesit, duke iu referuar mungesës së dy burrave në sallën e gjyqit. “Mund të bësh gjëra të pamenduara, por duhet të marrësh përgjegjësi për to”, tha ai më tej, duke shtuar: “Është një frikacakëri e plotë”.
Sipas avokatëve të mbrojtjes dhe atyre që përfaqësonin viktimat, dy burrat kishin dërguar një letër ndjese, por disa kryetarë bashkish dhe priftërinj thanë se nuk e kishin parë kurrë atë letër.
Gjatë një interviste të shkurtër telefonike, Hourdeaux tha se mbulimi mediatik i çështjes ua kishte shkatërruar jetën dhe se ai vinte në dyshim sesa të rëndësishme kishin qenë objektet e vjedhura për komunitetet lokale, duke qenë se më vonë shumë pak njerëz arritën t’i identifikonin ato. Në një bisedë të dytë telefonike, ai kërcënoi se do të ngrinte padi për shpifje nëse publikohej emri i tij - i cili ndërkohë ishte raportuar gjerësisht në Francë - apo komentet që kishte bërë më herët.
Caroline Biencourt, përfaqësuese e dioqezës lokale, foli mes lotësh në sallën e gjyqit, duke thënë se kishat përfaqësonin një nga të paktat vende reflektimi shpirtëror dhe bukurie artistike në zona të largëta nga muzetë dhe institucionet kulturore. “Çdokush mund të shtyjë derën dhe të gjendet përballë një vepre të Rubensit apo një statuje të vogël që ka marrë mbi vete lutjet e panumërta të njerëzve”, tha ajo. “Këto objekte i përkisnin të gjithëve dhe ne nuk do t’i kemi më kurrë”.
Dy burrat u dënuan me tre vjet burgim, nga të cilat dy vjet me kusht. Sipas kryeprokurorit Jean-Baptiste Miot, ata do të nisin javët e ardhshme vuajtjen e një viti dënim në arrest shtëpie nën mbikëqyrje elektronike.
Në muajin shtator, gjykata pritet të shqyrtojë se sa dëmshpërblim duhet t’u akordohet komuniteteve që u grabitën.
Yverneau thotë se Burellesit i takojnë 7.700 euro, rreth 9 mijë dollarë, një pjesë e të cilave ai planifikon t’i përdorë për instalimin e kamerave të sigurisë. Megjithatë, kjo shumë nuk i zbut zhgënjimet e tij, pasi as ai dhe as Jean-Michel Vignez, drejtuesi i shoqatës së vullnetarëve të kishës, nuk arritën të identifikonin asnjë nga objektet e zhdukura të fshatit mes 46 artefakteve që policia kishte rikuperuar.
“A do të kompensohemi ndonjëherë vërtet për këtë?” pyeti Vignez. “Kjo është e paçmueshme. Ka një vlerë krejtësisht simbolike. Unë mund të hyj në internet dhe të gjej objekte të ngjashme, por ato nuk do të jenë kurrë ato që i përkisnin Burellesit”.
Disa prej objekteve të rikuperuara janë kthyer tashmë në kishat që arritën të provonin pronësinë e tyre. Objektet e tjera policia ua ka dorëzuar autoriteteve lokale katolike, të cilat do t’i bekojnë dhe më pas do t’ua shpërndajnë kishave të grabitura gjatë një “ceremonie dorëzimi”, tha Biencourt. Kishat nuk do të marrin domosdoshmërisht pikërisht objektet që kanë humbur, por shpresa është që ky gjest të ofrojë të paktën njëfarë ngushëllimi.
Në një tjetër kthesë që shumëkush e pa si një lloj ironie të drejtësisë, gjykata vendosi që makina e çiftit t’i kalojë policisë. Ndër funksionet e tjera, ajo do të përdoret për patrullimin e fshatrave si Burelles.