Botë

Clintoni thotë se Shtëpia e Bardhë po e përdor si “kokë turku”

bill clinton

Një zëdhënës i ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, e ka akuzuar Shtëpinë e Bardhë se po e përdor si “kokë turku” pas publikimit të fotografive të tij me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Publikimet ishin pjesë e një lëshimi të madh të dokumenteve nga pushteti në SHBA.

“Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e vetes nga ajo që do të vijë më pas, ose nga ajo që do të përpiqen ta fshehin përgjithmonë. Pra ata mund të publikojnë sa më shumë foto të errëta mbi 20-vjeçare, por kjo s’ka të bëjë kurrë me Bill Clintonin. Asnjëherë s’ka pasur e as s’do të ketë”, ka thënë zëdhënësi Angel Urena në X.

Clintoni në vazhdimësi ka deklaruar se i ka prishur raportet me Epsteinin në vitin 2005, para se ai të deklarohej fajtor për abuzim seksual me një të mitur në Florida.

“Janë dy grupe njerëzisht. I pari që nuk dinte gjë dhe që këputi raportet me Epsteinin para se të dalin në dritë krimet e tij. Dhe i dyti grup që vazhdoi raportet edhe pastaj. Ne jemi në të parin. Asnjë zvarritje nga njerëzit e grupit të dytë s’do ta ndryshojë këtë. Të gjithë ne, veçanërisht MAGA, presin përgjigje, jo kokë turku”, ka shkruar ai.

Epsteini e kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë të paktën 17 herë gjatë viteve të presidencës Clinton.

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka publikuar të premten mijëra dokumente të redaktuara në masë të madhe e që lidhen me financierin e ndjerë dhe të dënuarin për krime seksuale. Dokumentet përmbajnë shumë pak ose aspak referenca për presidentin Donald Trump, por përmendin gjerësisht ish-presidentin demokrat, Bill Clinton, raporton Reuters. Mungesa e referencave për Trumpin u vu re, pasi prej vitesh kanë dalë në dritë fotografi dhe dokumente të tjera që e lidhin atë me Epsteinin. Emri i Trumpit, për shembull, ishte shfaqur në listat e pasagjerëve të avionit privat të Epsteinit, të publikuara në një dosje  dokumentesh të parë nga Departamenti i Drejtësisë në muajin shkurt. Publikimi i pjesshëm i dokumenteve u bë për ta respektuar një ligj të miratuar me shumicë dërrmuese nga Kongresi në nëntor, i cili kërkonte publikimin e të gjitha dosjeve të Epsteinit, pavarësisht përpjekjeve disa mujore të presidentit republikan për t’i mbajtur ato të mbyllura. Skandali Epstein është kthyer në një problem politik për Trump, i cili prej vitesh kishte nxitur teori konspirative për Epsteinin tek mbështetësit e tij.