Botë

Çmimi i arit kap vlerë rekorde

ari

Çmimi i arit ka shënuar rekord historik, duke kaluar për herë të parë vlerën 124 mijë dollarë për kilogram.

Rritja e madhe vjen në një periudhë të pasigurisë së madhe ekonomike, ndërsa shumë investitorë po kërkojnë “vend të sigurt” për kursimet e tyre për shkak të mbylljes së qeverisë amerikane dhe luftërave tregtare të presidentit amerikan Donald Trump, shkruan AP.

Të martën në mëngjes, kontratat e arit në bursën e New Yorkut u rritën ndjeshëm, duke shënuar çmimin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Bursa për arin ishte mbyllur me vlerë rreth 127 mijë dollarë për kilogram.

Sipas të dhënave, çmimi i arit është rritur rreth 50 për qind që nga fillimi i vitit 2025, kur tregtohej me rreth 85,800 dollarë për kilogram.

Edhe metalet e tjera të çmuara kanë ndjekur të njëjtin trend – argjendi është rritur me rreth 60 për qind, duke u tregtuar afër 1,545 dollarëve për kilogram.

Ekspertët thonë se pasiguria ekonomike është arsyeja kryesore e kësaj rritjeje. Tarifat e reja të Trumpit ndaj importeve kanë rritur çmimet e mallrave, dobësuar tregun e punës dhe shtuar frikën për inflacion. Situata është përkeqësuar edhe më tej nga bllokimi i qeverisë amerikane, që ka lënë pa paga mijëra punonjës federalë dhe ka pezulluar publikimin e të dhënave ekonomike.

Sipas analistëve, për sa kohë do të vazhdojë pasiguria ekonomike dhe politike, ari do të mbetet një prej investimeve më të kërkuara në botë.