Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka deklaruar se Evropa nuk do të shantazhohet, në një reagim të fortë pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave tregtare ndaj disa vendeve evropiane, nëse ato kundërshtojnë planet e tij për marrjen nën kontroll të Grenlandës, raportoi BBC-ja.
Trumpi ka paralajmëruar se në muajin shkurt do të vendosë taksa të reja ndaj tetë aleatëve të SHBA-së – Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar – nëse këto vende vazhdojnë të kundërshtojnë idenë e tij për marrjen e territorit autonom danez.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVendet e kërcënuara me tarifa reaguan përmes një deklarate të përbashkët, ku paralajmëruan se plani i Trumpit rrezikon të përshkallëzojë edhe më tej situatën. Ato theksuan se kërcënimet me tarifa dëmtojnë marrëdhëniet transatlantike dhe riafirmuan solidaritetin e plotë me Mbretërinë e Danimarkës dhe popullin e Grenlandës.
Në deklaratë, vendet evropiane nënvizuan se janë të përkushtuara për forcimin e sigurisë në Arktik, si interes i përbashkët transatlantik brenda aleancës së NATO-s, duke shtuar se janë të gatshme për dialog, por vetëm mbi bazën e parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial.
Në një postim në Facebook, Frederikseni shkroi se Danimarka kërkon bashkëpunim dhe jo konflikt, duke përshëndetur mesazhet e qarta nga vendet e tjera evropiane.
“Evropa nuk do të shantazhohet. Është edhe më e rëndësishme që të qëndrojmë të palëkundur në vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar bashkësia evropiane”, theksoi ajo.
Deklaratat vijnë ndërsa vendet anëtare të BE-së zhvilluan një takim urgjent në Bruksel.
Trumpi ka kërcënuar me vendosjen e një tarife 10% ndaj mallrave nga këto vende, duke filluar nga 1 shkurti, me mundësinë që ajo të rritet deri në 25% dhe të mbetet në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje.
Presidenti amerikan ka argumentuar se Grenlanda ka rëndësi strategjike për sigurinë globale, për shkak të pozicionit të saj mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut, si dhe për burimet natyrore dhe rolin në sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve raketore.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili po punon për të koordinuar përgjigjen evropiane ndaj kërcënimeve me tarifa, tha se do të kërkonte që BE të aktivizonte "instrumentin e saj anti-shtrëngim" nëse Trumpi i vendos ato.
Udhëheqësit evropianë dhe amerikanë pritet të diskutojnë çështjen gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku tema kryesore do të jetë bashkëpunimi në një botë gjithnjë e më të përçarë.
Kryeministri kanadez Mark Carney, i cili do të jetë gjithashtu atje, tha se Kanadaja beson fuqimisht se mënyra më e mirë për të siguruar Arktikun është duke punuar së bashku brenda NATO-s.
Ndërkohë, kreu i NATO-s, Mark Rutte, tha se ka folur me Trumpin lidhur me situatën e sigurisë në Grenlandë dhe Arktik.
"Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë dhe mezi pres ta shoh atë në Davos këtë javë", shtoi Rutte.
Kundërshtimi publik mbetet i fortë si në Danimarkë ashtu edhe në Grenlandë. Protesta kundër planeve të Trumpit janë mbajtur në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk, si dhe në disa qytete daneze.
Përfaqësuesi i Grenlandës në SHBA ka deklaruar se vetëm 6% e qytetarëve të pyetur në një sondazh të fundit mbështesin bashkimin me SHBA-në, ndërsa 85% janë kundër. Edhe në SHBA, shumica e amerikanëve shprehen kundër kësaj ideje, sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos.