Autoritetet në Danimarkë po studiojnë urgjentisht se si të mbyllin një boshllëk të dukshëm sigurie në qindra autobusë elektrikë të prodhuar në Kinë.
Hetimi vjen pasi autoritetet e transportit në Norvegji, ku janë gjithashtu në shërbim autobusët Yutong, zbuluan se furnizuesi kinez kishte qasje në distancë për përditësime të softuerëve dhe diagnostikime në sistemet e kontrollit të automjeteve, të cilat mund të shfrytëzoheshin për të ndikuar në autobusët gjatë transportit.
Mes shqetësimeve për rreziqet e mundshme të sigurisë, autoriteti norvegjez i transportit publik Ruter vendosi të testojë dy autobusë elektrikë në një mjedis të izoluar.
Bernt Reitan Jenssen, drejtori ekzekutiv i Ruter, ka thënë se “Testimi zbuloi rreziqe kundër të cilave tani po marrim masa. Autoritetet kombëtare dhe lokale janë informuar dhe duhet të ndihmojnë me masa shtesë në nivel kombëtar”.
Hetimet e tyre zbuluan se çaktivizimi në distancë mund të parandalohej duke hequr kartat SIM të autobusëve, por ata nuk e kanë bërë këtë sepse do ta shkëpuste autobusin edhe nga sistemet e tjera.
Ruter ka thënë se planifikonte të paraqiste kërkesa më të rrepta sigurie për prokurimet e ardhshme.
Ndërkaq Jenssen ka thënë se duhet të veprohet para mbërritjes së gjeneratës së ardhshme të autobusëve, të cilët mund të jenë edhe “më të integruar dhe më të vështirë për t’u siguruar”.
Movia, kompania më e madhe e transportit publik në Danimarkë, ka në funksion 469 autobusë elektrikë kinezë, 262 prej të cilëve janë prodhuar nga Yutong.
Jeppe Gaard, drejtori operativ i Movias, ka thënë se javën e kaluar është njoftuar se autobusët elektrikë ashtu si veturat elektrike mund të çaktivizohen nga distanca nëse sistemet e tyre të softuerit kanë qasje në internet.
"Ky nuk është një problem i autobusëve kinezë. Është një problem për të gjitha llojet e automjeteve dhe pajisjeve me elektronikë kineze të integruar”, ka thënë ai.
Gaard ka thënë se agjencia daneze për mbrojtjen civile dhe menaxhimin e emergjencave i ka thënë se nuk ishte në dijeni të ndonjë rasti specifik në të cilin autobusët elektrikë ishin çaktivizuar, por paralajmëroi se automjetet ishin të pajisura me "nënsisteme me lidhje interneti dhe sensorë (kamera, mikrofonë, GPS) që mund të përbëjnë dobësi që mund të shfrytëzohen për të prishur operacionet e autobusëve".
Mirëpo Yutong ka thënë se "përputhet në mënyrë strikte me ligjet, rregulloret dhe standardet e industrisë në fuqi të vendeve ku operojnë automjetet e saj" dhe se të dhënat e terminalit të automjeteve Yutong në BE ruheshin në një qendër të dhënash të Amazon Web Services (AWS) në Frankfurt.