Botë

Dënohet me 20 vjet burgim kritiku kinez, Jimmy Lai

Jimmy Lai

Foto: Associated Press

Jimmy Lai, ish-manjati i medias në Hong Kong dhe përkrahës i demokracisë, si dhe një kritik i ashpër i Pekinit, është dënuar të hënën me 20 vjet burgim.

Ky është dënimi më i gjatë i dhënë deri më tani sipas ligjit të sigurisë kombëtare të vendosur nga Kina, i cili praktikisht ka heshtur kundërshtimin.

Lai, 78 vjeç, është shpallur fajtor në dhjetor për komplot me persona të tjerë për të bashkëpunuar me forca të huaja me qëllim rrezikimin e sigurisë kombëtare, si dhe për komplot për publikimin e artikujve nxitës. Dënimi maksimal për këto akuza ishte burgimi i përjetshëm, raporton AP.

Të bashkëpandehurit e tij, gjashtë ish-punonjës të gazetës së tij Apple Daily dhe dy aktivistë, janë dënuar me burgime që variojnë nga 6 vjet e 3 muaj deri në 10 vjet, për akuza që lidhen me bashkëpunimin me forca të huaja.

Lai buzëqeshi dhe përshëndeti mbështetësit e tij me dorë kur mbërriti për shpalljen e dënimit. Por, para se të largohej nga salla e gjyqit, ai u duk serioz, ndërsa disa persona në galerinë e publikut qanin. I pyetur nëse do të apelonin vendimin, avokati i tij, Robert Pang, ka thënë se nuk kishte koment.

Vajza e Lai ka thënë se ai do të vdesë “martir” në burg.

Arrestimi dhe gjyqi i aktivistit për demokraci kanë ngritur shqetësime për rënien e lirisë së shtypit në atë që dikur ishte një bastion aziatik i pavarësisë mediatike. Qeveria këmbëngul se çështja nuk ka të bëjë me lirinë e shtypit, duke thënë se të pandehurit e përdorën raportimin e lajmeve si pretekst për vite me radhë për të kryer veprime që dëmtonin Kinën dhe Hong Kongun.

Lai është një nga figurat e para të njohura që u arrestua sipas ligjit të sigurisë në vitin 2020. Brenda një viti, disa nga gazetarët kryesorë të Apple Daily u arrestuan gjithashtu dhe gazeta u mbyll në qershor 2021.

Dënimi i Lai mund të rrisë tensionet diplomatike të Pekinit me qeveritë e huaja, të cilat kanë kritikuar dënimin dhe vendimin ndaj tij.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili pritet të vizitojë Kinën në prill, ka thënë se u ndje “jashtëzakonisht keq” pas vendimit dhe ka theksuar se kishte folur me udhëheqësin kinez, Xi Jinping për Lai dhe i kishte kërkuar atij “të shqyrtojë lirimin e tij”.

Qeveria e kryeministrit britanik, Keir Starmer, gjithashtu ka kërkuar lirimin e Lai, i cili është shtetas britanik. Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, e ka quajtur ndjekjen penale “të motivuar politikisht”, duke thënë se dënimi me burgim është praktikisht i barabartë me një dënim të përjetshëm.