Botë

Dënohet për spiunazh për Kinën ish-ndihmësi i ligjvënësit të AfD-së

Maximilian Krah AfD

Foto: Associated Press

Një ish-ndihmës i një anëtari të parlamentit për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë është dënuar me gati pesë vjet burgim për spiunazh për Kinën.

Jian Guo është dënuar të martën për veprim si agjent për shërbimin e inteligjencës kineze ndërsa punonte për Maximilian Krah, një ish-anëtar i parlamentit evropian i cili tani është anëtar i AfD-së në Bundestagun e Gjermanisë.

Çështja ka ngjallur shqetësime në lidhje me shkallën në të cilën Evropa po shënjestrohet nga spiunazhi kinez.

Guo, një shtetas gjerman, u zbulua se kishte mbledhur informacione, përfshirë dokumente konfidenciale, kur punonte në zyrën e Krah në parlamentin evropian midis viteve 2019 dhe 2024, dhe ia kishte kaluar ato autoriteteve kineze. Ai i kishte mohuar akuzat.

Gjykata në Dresden dëgjoi se ai kishte mbledhur informacione personale rreth figurave të larta të AfD-së, përfshirë udhëheqësit e saj, Alice Ëeidel dhe Tino Chrupalla, si dhe kishte mbajtur nën vëzhgim disidentët kinezë në Evropë.

Duke e dënuar Guon me katër vjet e nëntë muaj burgim, kryetari i trupit gjykues, Hans Schlüter-Staats, i ka thënë atij se “Nuk ka dyshim që ti ishe punonjës i një shërbimi të inteligjencës kineze”>

Një bashkëpunëtore kineze, e identifikuar vetëm si Yaqi X në përputhje me ligjet gjermane të privatësisë, u dënua me një dënim me kusht prej një viti e nëntë muajsh.

Ajo ka pranuar se i kishte dhënë Guo-s informacione në lidhje me fluturimet, ngarkesat dhe pasagjerët nga aeroporti i Leipzig/Halle ku punonte. Në veçanti, informacioni ishte përqendruar në transportin e automjeteve ushtarake, trupave dhe dronëve ushtarakë, dëgjoi gjykata.

Krah, 47 vjeç, i ka thënë gjykatës se e kishte punësuar Guo-n në bazë të aftësive të tij gjuhësore dhe përvojës në drejtimin e një firme import-eksporti. 

Pas arrestimit të Guo-s, siç ka thënë, ai "kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe kishte rritur ndjeshëm sigurinë në zyrën e tij”.