Botë

Dështon projekti miliardësh i Akonit për ndërtimin e “qytetit të së ardhmes”

Dështon projekti miliardësh i Akonit për ndërtimin e “qytetit të së ardhmes”

Planet ambicioze të këngëtarit amerikan me origjinë nga Senegali, Akon, për ndërtimin e një qyteti futurist në vendlindjen e tij kanë dështuar përfundimisht.

Lajmin e konfirmoi për BBC-në, Serigne Mamadou Mboup, drejtues i trupit shtetëror për zhvillimin e turizmit në Senegal.

“Projekti i qytetit Akon nuk ekziston më. Fatmirësisht kemi arritur marrëveshje të re me Akonin për një projekt më realist, i cili do të mbështetet plotësisht nga shteti”, ka thënë ai.

Në vitin 2018, Akoni kishte prezantuar një ide madhore për ndërtimin e një qyteti që do të kushtonte rreth 6 miliardë dollarë dhe do të përdorte një kriptomonedhë të quajtur “Akoin” si formë të vetme pagese. Qyteti ishte menduar të ndërtohej në një sipërfaqe prej 800 hektarësh në Mbodiene dhe të funksiononte vetëm me energji të ripërtëritshme. Skicat përfshinin kulla moderne, spitale, shkolla, qendra tregtare dhe infrastrukturë të gjelbër.

Megjithatë, shtatë vjet më vonë, vendi vazhdon të jetë bosh. E vetmja gjë e ndërtuar është një objekt i papërfunduar pritjeje. Banorët shprehen të zhgënjyer: “Na u premtuan punë dhe zhvillim, por asgjë s’ka ndodhur”.

Dështimi i projektit i atribuohet mungesës së fondeve dhe problemeve me kriptomonedhën Akoin, e cila nuk arriti të funksionojë siç ishte paraparë. Akoni e ka pranuar përgjegjësinë.

“Nuk po menaxhohej siç duhet, dhe unë mbaj përgjegjësi të plotë”, ka thënë këngëtari.

Ka pasur gjithashtu paqartësi ligjore në lidhje me përdorimin e Akoin si valutë kryesore, pasi valuta zyrtare e Senegalit mbetet franga CFA, e kontrolluar nga Banka Qendrore e Shteteve të Afrikës Perëndimore, e cila kundërshton përdorimin e kriptomonedhave.

Pavarësisht dështimit të projektit fillestar, qeveria senegaleze dhe Akoni kanë nisur bashkëpunimin për një projekt të ri, më të arritshëm. Toka në Mbodiene mbetet me rëndësi strategjike, veçanërisht me afrimin e Lojërave Olimpike Rinore në vitin 2026 dhe planifikimin për rritjen e turizmit në atë zonë.