Disa orë para se presidenti francez, Emmanuel Macron të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, disa kryetarë bashkie franceze kanë ngritur flamuj palestinezë në bashkitë e qytetit.
Mathieu Hanotin, kryebashkiaku i Saint-Denis, periferisë së Parisit ku ndodhet stadiumi kombëtar i futbollit, ngriti një flamur palestinez së bashku me flamujt francezë dhe të Bashkimit Evropian në majë të bashkisë së Saint-Denis.
I shoqëruar nga kreu i Partisë Socialiste, Olivier Faure dhe zyrtarët lokalë, kryebashkiaku u ka thënë gazetarëve më pas se ky ishte një gjest njëditor në solidaritet me popullin palestinez.
Faure ka thënë se ky ishte një flamur i një populli që përballet me atë që ai e quajti "gjenocid" dhe nuk ishte një flamur i Hamasit.
Nuk dihet se sa qytete do t'i bashkohen iniciativës të hënën pas thirrjes së Faure për të ngritur flamujt pavarësisht paralajmërimeve nga ministria e Brendshme kundër shfaqjeve të tilla në një vend me popullsinë më të madhe hebraike dhe myslimane në Evropë.
Por thirrja ka marrë vrull pasi flamujt palestinezë kanë qenë gjithnjë e më të dukshëm në Francë gjatë luftës gati dyvjeçare në Gazë.
Lufta në Gazë dhe konflikti më i gjerë izraelito-palestinez pritet të jenë në krye të agjendës së udhëheqësve botërorë në takimin e tyre vjetor në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që fillon të hënën.
Palestinezët kishin thënë se shpresojnë që të paktën 10 vende të tjera do ta njohin shtetin e Palestinës, duke iu shtuar më shumë se 145 vendeve që tashmë e kanë njohur.
Të dielën, Kanadaja, Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe Portugalia njohën zyrtarisht një shtet palestinez.