Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIzraeli kërcënon me intensifikim të sulmeve ndaj Iranit
Irani ka lëshuar dy raketa balistike në drejtim të ishullit Diego Garcia, që është bazë ushtarake amerikano-britanike në zonën e Oqeanit Indian.
Raketat nuk kanë arritur të godasin ndonjë objektiv në ishullin rreth 4 mijë kilometra larg Iranit, porse autoritetet iraniane e kanë kualifikuar sulmin si hap të rëndësishëm dhe dëshmi se raketat iraniane kanë rreze më të gjatë veprimi sesa mendohej më parë.
Sipas autoriteteve iraniane, sulm gjatë të shtunës është ndërmarrë edhe në uzinën bërthamore iraniane për pasurimin e uraniumit në Natanz, teksa për këtë i kanë fajësuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E pas sulmit, zyrtarë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike kanë bërë të ditur se nuk është evidentuar rritje e nivelit të rrezatimit jashtë zonës.
“Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike është informuar nga Irani se objekti bërthamor në Natanz është sulmuar sot. Nuk është raportuar asnjë rritje e niveleve të rrezatimit jashtë zonës. Agjencia është duke e shqyrtuar raportin. Drejtori i përgjithshëm i saj, Rafael Grossi, e përsërit thirrjen për përmbajtje ushtarake për të shmangur çdo rrezik të një aksidenti bërthamor”, thuhet në deklaratën e publikuar në “X” nga kjo Agjenci.
Rastet janë pasuar me një paralajmërim nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, se Irani do të përballet javën e ardhshme me intensitet të shtuar të sulmeve nga Izraeli dhe SHBA-ja.
“Ne jemi të vendosur që t’i vazhdojmë sulmet kundër regjimit terrorist iranian, që t’i eliminojmë komandantët e tij dhe t’ia pengojmë kapacitetet strategjike, derisa të gjitha kërcënimet e sigurisë ndaj shtetit të Izraelit dhe interesave të SHBA-së në rajon të eliminohen”, ka deklaruar Katz.
Këtë deklaratë ai e ka dhënë pak orë pasi copëza të një rakete iraniane goditën një kopsht të boshatisur fëmijësh afër Tel Avivit.
E ndërkohë, sulme me dronë iranianë u raportuan edhe në një zonë instalimesh të naftës në Arabinë Saudite.
Zhvillimet e së shtunës kanë ndodhur një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e ka sinjalizuar mundësinë e uljes së intensitetit të luftës në Lindjen e Mesme, që ka hyrë në javën e katërt.
Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Trump ka thënë se SHBA-ja është afër përmbushjes së objektivave të saj të luftës, porse ka këmbëngulur se do të jetë në duart e shteteve të tjera, që e përdorin Ngushticën e Hormuzit, të sigurojnë lundrimin e anijeve në këtë shteg jetik ujor dhe të ndihmojnë në frenimin e rritjes së çmimeve të naftës.
Irani thotë se objekti bërthamor në Natanz është goditur nga një tjetër sulm ajror
Objekti bërthamor i pasurimit të uraniumit në Natanz të Iranit u godit nga një tjetër sulm ajror të shtunën, raportoi agjencia zyrtare iraniane e lajmeve Mizan. Sipas saj, nuk pati rrjedhje rrezatimi.
Natanz, vendi kryesor i pasurimit të uraniumit në Iran, u godit në javën e parë të luftës dhe disa ndërtesa dukeshin të dëmtuara, sipas imazheve satelitore.
Organizata mbikëqyrëse bërthamore e Kombeve të Bashkuara kishte thënë se “asnjë pasojë radiologjike” nuk pritej nga sulmi i mëparshëm.
Objekti bërthamor, i vendosur gati 220 kilometra në juglindje të Teheranit, ishte goditur nga sulmet ajrore izraelite dhe nga Shtete e Bashkuara në luftën 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit në qershor 2025.
Sulmi vjen një ditë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka thënë se po shqyrtonte “lehtësimin” e operacioneve ushtarake në Lindjen e Mesme, edhe pse kanë nisur tri anije të tjera sulmi amfibe dhe afërsisht 2,500 marinsa të tjerë në rajon.
Irani sulmon bazën amerikano-britanike, një nga më të rëndësishmet në botë
Irani ka lëshuar dy raketa ballistike ndaj ishullit “Diego Garcia”, një bazë ushtarake amerikano-britanike e vendosur në oqeanin Indian. Ky sulm mund të shënojë një shkallë të re të luftës, pasi kjo bazë është rreth katër mijë kilometra larg bregut iranian. Sulmi ka dështuar. Sipas zyrtarëve amerikanë, raketa e parë ka pësuar një defekt gjatë fluturimit dhe ka rënë në det, ndërsa e dyta është rrëzuar nga një anije luftarake amerikane duke përdorur sistemin SM-3 para se të arrinte objektivin.
Baza e “Diego Garcias” ndodhet në një ishull të izoluar të arkipelagut të Chagos dhe është një nga bazat ushtarake më të rëndësishme në botë. Bombarduesit që mund të mbajnë armë bërthamore ndodhen ndonjëherë aty. Është interesante që pikërisht të premten, Mbretëria e Bashkuar ia kaloi këtë bazë, së bashku me bazën Fairford në Angli, Shteteve të Bashkuara për t'i përdorur për “operacione specifike mbrojtëse kundër Iranit”, shkruan “Times of India”.

“Diego Garcia” është një nga rreth 60 ishuj që formojnë Arkipelagun e Chagos, ose Territorin Britanik të Oqeanit Indian – kolonia e fundit e krijuar nga Mbretëria e Bashkuar kur ajo u nda nga Mauritiusi në vitin 1965. Ajo ndodhet afërsisht në mes të Afrikës Lindore dhe Indonezisë. Për të ndërtuar një bazë ushtarake, britanikët shpërngulën me forcë rreth dy mijë banorë të këtij ishulli gjatë viteve '60 dhe '70.
Traktatet e nënshkruara në vitin 1966 ia dhanë ishullin Shteteve të Bashkuara me qira prej 50 vjetësh, me mundësinë e një zgjatjeje për 20 vjet të tjera. Marrëveshja ka skaduar në vitin 2016, por britanikët e kanë zgjatur kontratën për 20 vjet të tjera, kështu që do të skadojë në vitin 2036.
“Diego Garcia” ishte baza nga e cila bombarduesit B-2 të SHBA-së mbushën karburant për të kryer sulmet e para ajrore ndaj Afganistanit pas sulmeve të 11 shtatorit. Po ashtu, gjatë “luftës kundër terrorizmit”, aeroplanët u dërguan direkt nga ky ishull për në Afganistan dhe Irak.
Ky sulm iranian shqetësoi Washingtonin sepse Irani ka deklaruar për vite me radhë se rrezja e raketave të tij ishte 2 mijë kilometra, por ky sulm mund të tregojë se kjo rreze tani është dyfishuar.