Botë

Dokumentet e gjetura në një hotel në Alaskë zbulojnë detaje të samitit Trump-Putin

Donald Trump dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Dokumente me shenja të Departamentit amerikan të Shtetit, të gjetura të premten në mëngjes në qendrën e biznesit të një hoteli në Alaskë, zbuluan detaje të paditura më parë dhe potencialisht të ndjeshme në lidhje me takimet e 15 gushtit midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin në Anchorage.

Tetë faqe, që duket se janë prodhuar nga stafi i ekipit të SHBA-së dhe që janë lënë pas aksidentalisht, përmbanin vendndodhjet dhe oraret e sakta të takimeve të samitit dhe numrat e telefonit të punonjësve të qeverisë amerikane.

Rreth orës 9:00 të mëngjesit të së premtes, tre mysafirë në Hotel Captain Cook, një hotel me katër yje i ndodhur 20 minuta nga Baza e Përbashkët Elmendorf-Richardson në Anchorage ku u mblodhën udhëheqës nga SHBA-ja dhe Rusia, gjetën dokumentet e lëna pas në një nga printerët publikë të hotelit.

Faqja e parë zbulonte sekuencën e takimeve për 15 gusht, duke përfshirë emrat specifikë të dhomave brenda bazës në Anchorage ku ato do të zhvilloheshin. Gjithashtu zbulonte se Trumpi kishte ndërmend t’i jepte Putinit një dhuratë ceremoniale.  

“POTUS për presidentin Putin”, thuhet në dokument, “Statuja e Shqiponjës Tullace Amerikane”.

Të shtunën, zëvendëssekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, i hodhi poshtë dokumentet si një "menu dreke me shumë faqe" dhe sugjeroi që lënia e informacionit në një printer publik nuk përbënte shkelje të sigurisë. E Departamenti i Shtetit i SHBA-së nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Faqet 2 deri në 5 të dokumenteve renditnin emrat dhe numrat e telefonit të tre anëtarëve të stafit të SHBA-së, si dhe emrat e 13 udhëheqësve shtetërorë të SHBA-së dhe Rusisë. Lista ofronte shqiptues fonetikë për të gjithë burrat rusë që pritej të ishin pjesëmarrës në samit, përfshirë atë ku shkruante "Z. President POO-tihn".

Foto të dy dokumenteve rreth takimit Trump-Putin në Alaska që u gjetën në një printer hoteli në Anchorage.
 

Faqet 6 dhe 7 përshkruanin se si do të shërbehej dreka në samit dhe për kë. Një menu e përfshirë në dokumente tregonte se dreka do të mbahej "për nder të shkëlqesisë së tij Vladimir Putin".

Një tabelë ulësesh tregon se Putini dhe Trumpi duhej të uleshin përballë njëri-tjetrit gjatë drekës.

Trumpi do të shoqërohej nga gjashtë zyrtarë: sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe shefja e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles në të djathtë të tij, dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, sekretari i Tregtisë, Hoëard Lutnick dhe i Dërguari Special për Misionet e Paqes, Steve Witkoff në të majtë të tij. Putin do të ulej menjëherë pranë ministrit të tij të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, dhe ndihmësit të tij për Politikën e Jashtme, Yuri Ushakov.

Gjatë samitit të së premtes, dreka me sa duket u anulua. Por dokumentet tregonin se ishte menduar të ishte një vakt i thjeshtë me tre pjata. 

Jon Michaels, një profesor i drejtësisë në UCLA i cili jep leksione për sigurinë kombëtare, ka thënë se dokumentet e gjetura në printerin e hotelit në Alaska zbulojnë një mungesë gjykimi profesional në përgatitje për një takim me rrezik të lartë.

"Më duket si provë e mëtejshme e pakujdesisë dhe paaftësisë së administratës”, ka thënë Michaels. "Thjesht nuk i lini gjërat në printera. Është kaq e thjeshtë”, ka shtuar ai.

Dokumentet e shtypura janë shembulli më i fundit i një serie shkeljesh të sigurisë nga zyrtarët e administratës Trump. Më herët këtë javë, anëtarët e një grupi bisedash për zbatimin e ligjit që përfshinin anëtarë të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) shtuan një person të rastësishëm në një bisedë rreth një kërkimi të vazhdueshëm për një tentativë vrasjeje të dënuar. 

Në mars, udhëheqësit e sigurisë kombëtare të SHBA-së përfshinë aksidentalisht një gazetar në një bisedë në grup rreth sulmeve të afërta ushtarake në Jemen.