Botë

Dronë spiunë mbi bazën ajrore belge

belgjike

Disa dronë të paidentifikuar janë parë duke fluturuar mbi një bazë ajrore belge gjatë fundjavës, dhe sipas ministrit të Mbrojtjes, Theo Francken, qëllimi i tyre ishte “spiunimi i avionëve luftarakë dhe armëve strategjike”.

“Ata vijnë për të spiunuar, për të parë ku ndodhen avionët F-16, ku ruhen municionet dhe gjëra të tjera me rëndësi strategjike, tha Francken për televizionin RTBF, degë e CNN në Belgjikë.

Ministri shtoi se një nga dronët kishte qëndruar “për një kohë të gjatë” mbi bazën ajrore, gjë që e bën të qartë natyrën e misionit të tyre.

Bëhet fjalë për bazën ajrore Kleine-Brogel, në komunën Peer, e cila strehon njësinë më të madhe të forcave ajrore belge dhe luan rol kyç në strategjinë bërthamore parandaluese të NATO-s, sipas faqes zyrtare të bazës.

Prej vitesh, mediat lokale kanë raportuar se në këtë bazë mund të jenë të pranishme armë bërthamore amerikane, por Ministria e Mbrojtjes së Belgjikës nuk ka pranuar as ka mohuar këtë informacion. Edhe NATO ka refuzuar të komentojë, duke ia lënë çështjen autoriteteve belge.

Incidenti vjen në një kohë kur Evropa ndodhet në alarm të lartë sigurie, pas disa shkeljeve të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s nga dronë dhe avionë të paidentifikuar.

Në bazën Kleine-Brogel janë të stacionuar avionë luftarakë F-16, të cilët pritet të zëvendësohen me modelet më të avancuara F-35 në vitet e ardhshme.

Francken tha se Rusia “po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë në të gjitha vendet evropiane”, por shtoi se për momentin nuk ka prova të drejtpërdrejta që ta lidhin Moskën me incidentin.

“A janë rusët? Nuk mund ta them me siguri, por motivet janë të qarta”, theksoi ai.