Pamje të dronëve gjatë natës mbi aeroportin e Munihut në Gjermani çuan në anulimin dhe devijimin e dhjetëra fluturimeve, një ditë para një feste kombëtare. Si pasojë, rreth 3 mijë pasagjerë mbetën të bllokuar.
Autoritetet njoftuan të premten se po hetojnë incidentin. Ky është rasti më i fundit në një seri incidentesh të ngjashme që kanë ndodhur në Evropë, duke shkaktuar shqetësime për sulme hibride të fshehta ndaj aleatëve evropianë të Ukrainës, që dyshohet të jenë të organizuara nga Rusia, raporton Reuters.
Operimet në aeroport rifilluan herët të premten në mëngjes. Sipas zyrtarëve në aeroport disa dronë u panë në qiell mbrëmjen e së enjtes, dhe për këtë arsye kontrolli ajror pezulloi të gjitha fluturimet.
Një zëdhënës i policisë i tha gazetës Bild se dronët u panë mbi aeroport në orët e vona të mbrëmjes. Por, për shkak të errësirës, nuk mund të përcaktohej madhësia apo lloji i dronëve.
Ky incident ndodhi vetëm një javë pasi ndërhyrje të ngjashme me dronë ndodhën në hapësirën ajrore të Danimarkës dhe Norvegjisë, të cilat përkohësisht mbyllën aeroportet e tyre. Kjo shtyu udhëheqësit e Bashkimit Evropian, në një samit në Kopenhagë, të mbështesin planet për forcimin e mbrojtjes kundër dronëve.
Kërcënimi nga dronët, Gjermania kërkon masa më të rrepta për mbrojtjen e hapësirës ajrore
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, ka theksuar se mbyllja e përkohshme e Aeroportit të Munihut pas vëzhgimeve të dronëve ishte një “zgjim” për kërcënimin që po paraqesin dronët.
Dronët kanë shkaktuar probleme të ngjashme në aeroporte të tjera në Evropë.
“Lufta midis kërcënimit nga dronët dhe mbrojtjes kundër tyre po bëhet gjithnjë e më e vështirë,” tha ai për gazetën Bild.
Ai shtoi se është shumë e nevojshme që të ketë më shumë fonde dhe hulumtime për këtë çështje, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë evropian, raporton The Guardian.
Edhe kreu i Bavarisë, Markus Söder, iu bashkua thirrjeve për të forcuar mbrojtjen ajrore të Gjermanisë.
Ai tha për Bild se “policia e vendit duhet të jetë në gjendje të qëllojë dronët menjëherë, pa pritur”.
Söder tha se kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e kabinetit bavarez të martën dhe se një projektligj do të përshpejtohet për të ndryshuar rregulloret.
“Infrastruktura jonë duhet të funksionojë gjithmonë. Ne duhet të kemi kontroll mbi hapësirën tonë ajrore”, tha ai pas vëzhgimeve të dronëve mbi aeroportin e Mynihut.