Botë

Dy të vdekur dhe 12 të plagosur nga të shtënat me armë në mes të turmës në Alabama

Alabama

Foto: Associated Press

Të paktën dy persona kanë vdekur dhe 12 të tjerë janë plagosur nga të shtëna masive në Montgomery të Alabamas, raportoi të dielën “CBS News”.

Rasti ka ndodhur në një lagje ku disa grupe kanë filluar të gjuajnë njëri-tjetrin me armë në zonën e mbushur me plot njerëz. 

Në një konferencë për shtyp Shefi i Policisë së Montgomeryt, James Graboys, ka njoftuar se viktimat janë një 17-vjeçar dhe një 43-vjecare. Ai tha se pesë nga të plagosurit u shtruan në spital me lëndime serioze për jetën, dhe shtatë të tjerët kanë lëndime që nuk konsideroheshin kërcënuese për jetën. 

Që të gjithë të plagosurit janë më të rinj se 20 vjeç.

"Këtu ishin dy palë të përfshira që praktikisht po qëllonin me njëra-tjetrën në mes të një turme", ka thënë ai. 

Graboys ka shtuar se hetuesit po shqyrtonin provat dhe po intervistonin të dyshuarit e mundshëm, megjithëse askush nuk ishte akuzuar të dielën në mëngjes.

"Do të bëjmë gjithçka që na nevojitet për të mbledhur çdo provë për të ndjekur këdo që është i përfshirë", ka theksuar tutje ai.