Botë

Dy të vdekur në Suedi nga një stuhi dimërore që ka përfshirë vendet nordike

Suedi

Dy persona kanë vdekur në Suedi si pasojë e një stuhie të fuqishme dimërore që ka përfshirë vendet nordike, duke shkaktuar ndërprerje të udhëtimit dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Instituti Meteorologjik dhe Hidrologjik Suedez ka lëshuar alarme për erëra të forta për pjesë të mëdha të gjysmës veriore të vendit, ndërsa stuhia Johannes ka goditur vendin.

Një burrë në të 50-at ka vdekur pasi ishte goditur nga një pemë në resortin e skive Kungsberget në jug të vendit, kanë raportuar mediat lokale dhe policia, ndërsa kompania rajonale e shërbimeve, Hemab, ka thënë se një nga punonjësit e saj ka vdekur në një aksident tjetër.

Dhjetëra mijëra shtëpi në Suedi, Norvegji dhe Finlandë kanë mbetur pa energji elektrike.

Në Suedi, më shumë se 40,000 shtëpi janë prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike dhe shumë shërbime hekurudhore janë anuluar, ka raportuar agjencia suedeze e lajmeve TT.

Disa fluturime, shërbime hekurudhore dhe tragetesh në pjesë të vendeve nordike janë anuluar.

Në rajonin Nordland të Norvegjisë, një nga qarqet më veriore në vend, departamenti i zjarrfikësve u është përgjigjur më shumë se 200 incidenteve të lidhura me motin, ka raportuar transmetuesi NRK.

Stuhia Johannes ka ndërprerë energjinë elektrike për rreth 23,000 shtëpi në Nordland dhe 9,000 të tjera kanë mbetur pa energji elektrike në rajonin Inland, sipad NRK-së.

Në Finlandë, stuhia, e njohur atje si Hannes, është qetësuar të dielën në mëngjes, por raportohet të ketë lënë më shumë se 33,000 shtëpi pa energji elektrike, sipas transmetuesit publik Yle.

Fluturimet në aeroportin e Kittilës në Finlandën veriore janë anuluar pasi erërat e forta shtynë një avion pasagjerësh dhe një aeroplan më të vogël nga pista, ka raportuar “Helsinki Times”.

Avioni Swiss Air, që mbante rreth 150 pasagjerë, sapo kishte zbritur nga Gjeneva dhe po lëvizte kur u devijua, ka raportuar gazeta. 

Nuk ka pasur të lënduar të raportuar.