Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Emiratet e Bashkuara Arabe tërhiqen nga grupi i prodhuesve të naftës “OPEC”

Suhail Mohamed al-Mazrouei

Foto: Associated Press

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar të martën se po largohen nga grupi i prodhuesve të naftës OPEC, ndërsa kriza energjetike e paprecedentë e shkaktuar nga lufta me Iranin po nxjerr në pah mosmarrëveshjet mes vendeve të Gjirit.

Humbja e Emirateve të Bashkuara Arabe, një anëtar i kahershëm i OPEC-ut, mund të krijojë çrregullim dhe të dobësojë grupin, i cili zakonisht është përpjekur të tregojë një front të bashkuar pavarësisht mosmarrëveshjeve të brendshme mbi çështje të ndryshme, nga gjeopolitika deri te kuotat e prodhimit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ministri i Energjisë i Emirateve, Suhail Mohamed al-Mazrouei, i ka thënë Reuters se vendimi u mor pas një shqyrtimi të kujdesshëm të strategjive energjetike të vendit.

I pyetur nëse Emiratet u konsultuan me liderin de facto të OPEC-ut, Arabinë Saudite, ai ka thënë se Emiratet nuk e ngritën këtë çështje me asnjë vend tjetër.

“Ky është një vendim politik, është marrë pas një shqyrtimi të kujdesshëm të politikave aktuale dhe të ardhshme që lidhen me nivelin e prodhimit”, ka thënë ministri i energjisë.

Prodhuesit e Gjirit në OPEC po hasin në vështirësi në transportimin e eksporteve përmes Ngushticës së Hormuzit, një pikë strategjike mes Iranit dhe Omanit, përmes së cilës zakonisht kalon një e pesta e naftës së papërpunuar dhe gazit natyror të lëngshëm në botë, për shkak të kërcënimeve dhe sulmeve iraniane ndaj anijeve.

Mazrouei ka thënë se ky hap, në të cilin Emiratet do të largohen edhe nga grupi OPEC+, nuk do të ketë ndikim të madh në treg për shkak të situatës në ngushticë.

Dalja e Emirateve nga OPEC përfaqëson një fitore për presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili në një fjalim në vitin 2018 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së akuzoi organizatën se “po zhvat pjesën tjetër të botës” duke rritur çmimet e naftës.

Trumpi gjithashtu e ka lidhur mbështetjen ushtarake të SHBA-së për vendet e Gjirit me çmimet e naftës, duke thënë se ndërsa SHBA-ja i mbron anëtarët e OPEC-ut, ata “e shfrytëzojnë këtë duke vendosur çmime të larta të naftës”.

Ky veprim erdhi pasi Emiratet, një qendër rajonale biznesi dhe financiare dhe një nga aleatët më të rëndësishëm të Uashingtonit, kritikuan vendet e tjera arabe se nuk po bënin mjaftueshëm për t’i mbrojtur nga sulmet e shumta iraniane gjatë luftës.